Ushtria Shqiptare edhe pse pjesë e NATO-s, është dorëzuar duke pranuar se nuk ka kapacitete të shoqërojë trupat aleate kur ato kalojnë tranzit nëpër rrugët e vendit. Fact Check sjell dokumentin ku Ministria e Mbrojtjes kërkon të ndryshohet ligji pasi Policia Ushtarake e cila e ka detyrim shoqërimin, rezulton se s’ka burime. Policia Ushtarake shqiptare nuk ka kapacitete të përballojë flukset e ushtrive të NATO-s të cilat kërkojnë shoqërim eskortë për të kaluar nëpër territorin shqiptar. FactCheck ka siguruar dokumentin ku pranohet se aktualisht kjo strukturë e Forcave të Armatosura është në pamundësi për të përballuar lëvizjet e shpeshta dhe të shumta të ushtrive partnere të cilat kalojnë nëpër territorin shqiptar. Ja çfarë thuhet në këtë dokument: “Një problematikë tjetër aktuale që haset në vijimësi nga autoritetet e Policisë Ushtarake të FARSH-it është zbatimi i detyrimeve të pikës 4, të nenit 16, i ligjit aktual nr. 9363, datë 24.3.2005, i ndryshuar, në çdo rast, edhe kur nuk kërkohet nga shteti që bën kërkesën për kalimin tranzit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, një njësi e Policisë Ushtarake së FARSH-it duhet të shoqërojë këto forca. Duke qenë se Republika e Shqipërisë përbën një urë lidhëse me Italinë, Malin e Zi, Kosovën dhe kërkesat për kalim transit në Republikën e Shqipërisë, me destinacion më tej një nga këto shtete janë të shumta, në disa raste Policia Ushtarake gjendet në vështirësi për zbatim e normës ligjore, për shkak edhe të mungesës së burimeve”. Në ligjin aktual NR. 9363, 24.3.2005, të cilin Ministria e Mbrojtjes kërkon ta ndryshojë në pikën katër të nenit 16 të tij thuhet: Forcat ushtarake të huaja, gjatë kalimit tranzit nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, shoqërohen nga një njësi ushtarake e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Nga ky ligj në fuqi ka rezultuar se Ushtria Shqiptare ndodhet në pamundësi për eskortim kjo për shkak të burimeve njerëzore. Drafti i ri, i cili është ende në konsultim dhe pritet të kalojë në Parlament për të marrë pëlqimin politik dhe votat e deputetëve, heq shoqërimin e detyrueshëm të ushtrive të vendeve të tjera duke i lënë ato të kalojnë duke përdorur infrastrukturën civile. “Forcat ushtarake të huaja, gjatë kalimit transit nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, shoqërohen nga Policia Ushtarake e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, nëse kërkohet nga shteti përkatës”. Nëse do të kaloj apo jo ky ligj ende nuk dihet, por lëvizja e Forcave të Armatosura të vendeve partnere aleate apo mike mund të krijojë nga kureshtja deri tek incidente me përdoruesit e rrugës apo banorët e zonave ku ata kalojnë. Një tjetër risi e kërkuar në ndryshimet ligjore është edhe ajo e dërgimit të trupave jashtë vendit vetëm me firmën e Ministrit të Mbrojtjes, kjo për të shmangur procedurat burokratike dhe vonesat në kohë thotë relacioni.



