
Autoritetet e rajonit kinez të Mongolisë Qendrore kanë vendosur një fshat të tërë në izolim pas vdekjes së një banori nga murtaja bubonike. Lajmin e bën të ditur CNN. Vdekja u raportua tek autoritetet Baotou të dielën e kaluar dhe konfirmimi i shkakut u bë të enjten, njoftoi Komisioni Shëndetësor i Komunës së Baotou. Autoritetet izoluan fshatin Suji Xincun, ku banonte viktima. Testet e kryera mbi të gjithë fshatarët deri më tani kanë qenë negative. Nëntë persona që kishin pasur kontakt të ngushtë me pacientin e ndjerë dhe që ishin vendosur në karantinë gjithashtu kanë rezultuar negativë, siç ishin edhe 26 persona të tjerë që kishin pasur kontakte indirekte.
Më 8 korrik, autoritetet e të njëjtit rajon mbyllën disa vendpushime turistike pas konfirmimit të një rasti të murtajës bubonike në Bayannur. Pesë pika turistike panoramike u mbyllën për vizitorët, së bashku me të gjithë rajonin përreth. Në nëntor 2019, sërish në Mongolinë Qendrore, pati disa raste të murtajës bubonike dhe pulmonare, të lidhura me marmotat ose lepujt e egër të ngrënë pa u pjekur mirë apo krudo.
E njohur ndryshe si vdekja e zezë, murtaja bubonike njihet si pandemia më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit. Ajo mendohet se u ka marrë jetën 75-200 milion njerëzve në Euroazi, Afrikën e Veriut dhe Europë, ku e pati kulmin në vitet 1347-1351.



