Të paktën 11 persona janë vrarë gjatë një konfrontimi të dhunshëm mes anëtarëve të dyshuar të një bande dhe banorëve të një qyteti të vogël bujqësor në Meksikën qendrore.
“Tetë nga të vrarët në përleshjet në Texcaltitlan, një qytet që ndodhet rreth 65 km larg kryeqytetit, dyshohet se ishin të lidhur me aktivitete kriminale dhe tre ishin anëtarë të komunitetit”, tha në një deklaratë të premten ministria e Sigurisë në shtetin e Meksikës.
Mediat lokale thanë se persona të armatosur që i përkisnin kartelit të drogës “Familia Michoacana”, i akuzuar për vrasjen e 20 personave në shtetin fqinj Guerrero vitin e kaluar, kishin mbërritur në fshat duke kërkuar nga fermerët vendas të paguanin para që ata kishin vendosur si gjoba.



