Kryetari i partisë Nisma Thurje, Endrit Shabani, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se standardi i vetëm që ka Policia e Shtetit sot është që t’i shkojë nga pas çetës së qeverisë. Sipas Shabanit Rama e ka përdorur policinë për të intimiduar dhe penguar drejtësinë, pasi kryeministri tanimë po shikon fundin e tij politik. Shabani tha se duhet marrë e pandehur edhe Avokatja e Popullit, nëse janë të vërteta informacionet se në zyrën e saj, kryetarja e komisionit të ligjeve ka intimiduar një nga dëshmitaret.
“Ne jemi në fundin e një cikli politik, dhe si çdo cikël politik do të vijë me përplasje. Përplasja është mes klasës së vjetër politike, e cila do përdorë çdo mjet që mos japë llogari. Një nga mjetet janë instrumentet e pushtetit. Rama është kryeministër dhe ka kontroll direkt në policinë e shtetit. E ka përdorur për të intimiduar dhe penguar drejtësinë. Është totalisht e papranueshme nga pikëpamja politike e një shteti demokratik, europian. Rama po shikon fundin e tij politik. Po përballet me gjithë zullumet që çeta e Ramës i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nuk e marr dot seriozisht ministrin e Brendshëm. Ministri s’është me policët por me keqbërësit përballë policëve. Rasti konkret e bën më qesharak. Thotë që s’dinim gjë paraprakisht. Po sikur të kishin luajtur mendsh dhe ata dhe të bënin tentative për djegien e SPAK-ut?! Çfarë do thoshte ministri, që s’më kanë çuar letër më përpara dhe nuk ndodhem aty?! Policia duhet të kontrollojë territorin në çdo kohë. Ata kanë qëndruar aty nga mëngjesi në darkë, si nuk e pa kryepolici i shtetit këtë?! E pamë të gjithë ne të tjerët.
Është jo serioze të marrësh seriozisht një personazh jo serioz. Policia e Shtetit ka një standard, që është ndjekja e interesave të Ramës. Më vjen keq sepse ka policë të ndershëm, familjarë, që duan të zbatojnë ligjin. Fatkeqësisht janë të tradhtuar vazhdimisht nga shefat e vet. Ashtu si peshku që qelbet nga koka, ka një standard, që t’i shkojë mbrapa çetës së qeverisë. Në dijeninë time drejtori i Përgjithshëm i Policisë është nën hetim nga SPAK-u, raportohet që i është marrë celulari. Kur ai është nën hetim nga SPAK-u, çfarë prisni, që të mbështesë SPAK-un?! Ai është si Çyrbja, si Beqja, që do që ta çmontojë një orë e më parë SPAK-un. Kur është në presion prokurori, gjyqtari, e imagjinoni çfarë u bëjnë këta dëshmitarëve?!
Këtu duhet marrë nën hetim edhe Avokatja e Popullit. Thuhet se kryetarja e komisionit të ligjeve ka intimiduar një nga dëshmitaret në zyrën e Avokates së Popullit, kjo është e tmerrshme. Nëse kjo është e vërtetë, Avokatja e Popullit në mos duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte e marrë e pandehur. Padyshim që SPAK ka të tjera informacione në dosje. Kjo që ndodh në Shqipëri s’ndodh në asnjë vend tjetër. Informacioni qarkullon, është vend i vogël, s’ka kulturë institucionale. Ai është sekret hetimor, SPAK-u di shumë më tepër seç dimë ne. Nëse do ketë ndryshim mase për Veliajn, kjo do dekurajonte besimin e shqiptarëve te drejtësia. E kuptoj presionin që ata po përballen, por shpresoj që ata mos dorëzohen”.



