Një 16-vjeçar shqiptar humbi jetën në mënyrë të papritur në Itali. Viktima është Irdi Duda, i cili ndërroi jetë në spitalin e Sanremos, pasi pati një dhimbje të fortë, ndoshta infarkt rreth orës 20:20 të mbrëmjes, teksa ecte përgjatë rrugës në Sanremo.
Ai u rrëzua, tentoi të mbahej te një motor i parkuar buzë rruge, por më pas ra përtokë pa ndjenja.
Kalimtarë të rastit nxituan ta ndihmonin dhe njoftuan urgjencën. Shqiptari u dërgua në spital, por gjendja e tij ishte tejet e rëndë dhe nuk shpëtoi dot, raporton “Panorama”. Mjekët thanë se për të nuk mund të bëhej asgjë. Policia ka nisur hetimet duke mbledhur fillimisht sendet personale të tij në vendin ku u rrëzua. Ai kishte me vete çantën sportive dhe mendohet se kthehej nga palestra.
Djaloshi praktikonte kick boxing dhe luante futboll amerikan me Waves Riviera dei Fior.



