
Protesta e nisur para Parlamentit është zhvendosur drejt Kryesisë së Kuvendit. Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë së bashku drejt Kuvendit, për të dorëzuar mandatet e deputetëve.
“Ligji dhe Kushtetua janë produkt i sovrantit. Dua t’ju them se këtu jemi bashkuar dhe ju them miqve të mi se këtu nuk ka drejtësi, nuk ka Parlament. Se ai që ju del para si kryeministër është Maduro i Ballkanit, por me një ndryshim se këtu nuk jemi në Venzuelë, sepse kjo është Shqipëria. Mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim atë që nuk do pranoni për popullin tuaj. Nuk pranoj kurrë që Kushtetuta të kthehet në letër higjienike. Nuk do pranoj kapjen e pushteteve dhe zgjedhje me ndihmën e krimit. Nuk pranoj kurrë që xhepat e shqiptarëve të vidhen. Kurrë nuk do pranoj narko shtetin dhe narkoparlametin. Nuk ka më frikë në zemrat e shqiptarëve përveç frikës nga Perëndia. Hajdeni pas meje te selia e Kuvendit për të dorëzuar së bashku njëherë e mirë mandatet. Të gjithë pas meje për të finalizuar këtë akt final të dorëzimit të mandateve. Të gjithë pas meje”, tha Basha.
Opozita proteston para Parlamentit
Opozita proteston sot para Kuvendit. Protesta ka nisur rreth orës 10:00. Një numër i madh qytetarësh raportohet se janë nisur nga rrethet, ndërsa të paktën 1000 forca policie janë të angazhuar në mbarëvajtjen e protestës.
Forcat e rendit janë vendosur përreth Parlamentit, ndërsa forcat Shqiponja dhe FNSH është në gatishmëri në bulevardin “Zhan Dark” dhe brenda rrethimit të xhamisë së Namazgjasë.
Në gatishmëri pranë godinës së Parlamentit është edhe Garda e Republikës, e cila në rast përshkallëzimi të dhunës do të përdorë gaz lotsjellës.
Në gatishmëri pranë ambienteve të Parlamentit janë dhe zjarrfikëset dhe ambulancat.
Kufizime për qarkullimin rrugor do të ketë tek “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark”.
Me tymuese dhe thirrjet “Rama ik!”, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa deputetët e opozitarës kanë improvizuar një platformë në mes të turmës, nga ku kanë mbajtur fjalimet e tyre.
Dashamir Shehi
Ky njeri që bredh poshtë e përpjetë dhe pretendon se do të bashkojë Shqipërinë me Kosovën, do të ndajë dhe Shqipërinë, nëse do e lëmë. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë por nuk ka kthim prapa.
Monika Kryemadhi
Motra dhe vëllezër, të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë prindërve të tyre e motrave të tyre. Ata policë që rrogat e tyre janë vetëm 300 mijë lekë të vjetra sa kushton një kollare e Edi Ramës nuk mund të jenë ushtruesit e dhunës. Ata policë që janë njësoj si gjithë shqiptarët, që paguajnë faturën e energjisë si ju më shtrenjtë se ndonjëherë. Ata policë njësoj si ju kanë hedhur letra për legalizimet e shtëpive të tyre dhe Edi Rama përdor uniformën për t’i kërcënuar.
Shpëtim Idrizi
Jemi ngritur për të rrëzuar diktaturën mavi. Jam sot këtu për t’i thënë dallkaukut të përparimit hapi rrugë shqiptarëve dhe zgjedhjeve të lira, sepse shqiptarët do ta marrin fatin në dorë. Sot ka ardhur dita të ikësh ti sepse ndryshme shqiptarët, demokratët janë të gatshëm siç larguan diktaturën do bëjnë çdo ditë 20 shkurtin për t’i sjellë liri Shqipërisë.



