Deputet demokrat Dashnor Sula në një intervistë për gazetaren Greta Bullari në MCN Live tha se rezoluta e miratuar në Kuvend për Kosovën ishte e vonuar.
Ai theksoi se është për të ardhur keq që në Shqipëri vazhdon të prevalojë politika ditore në raport me Kosovën.
Sula po ashtu vuri në dukje se interpelanca e deputetit të PD-së zyrtare Çollaku me Ramën ishte një marrëveshje e heshtur që i dha mundësinë kryeministrit të justifikojë veten dhe të bëjë demagogji.
Lidhur me rezolutën e përbashkët mes PD-së së Rithemelimit dhe PS-së Sula tha:
Pa diskutim është një lajm shumë i mirë, por do të thoja shumë i vonuar. E kam thënë edhe ditë të tjera që është e pafalshme për Kuvendin e Shqipërisë dhe politikën shqiptare, që në një kohë që ka kaluar tre javë nga 24 shtatori, dhe Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, do ishte në nderin e politikës shqiptare dhe Kuvendit që rezoluta të mos ishte vonuar kaq shumë, në një kohë që shtetet e tjera kanë pasur reagime shumë të forta dhe shumë të qarta. Përsëri ka vlerë kjo rezolutë, por nuk ishte nevoja për të pasur debat, sepse kemi kërkuar vetëm të kemi një rezolutë që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës. Është për të ardhur keq që politika ditore në Shqipëri vazhdon të prevalojë për shkak të interesave të caktuara, apo politikanëve të caktuar. Të luash në emër të çështjes së Kosovës në radhë të parë është e turpshme për këdo person që tenton ta bëjë një gjë të tillë”.
Duke u ndalur te qëndrimet e PD-së zyrtare të Bashës dhe interpelanca e deputetit Çollaku me Ramë, Sula thotë:
Një gjë është e qartë që rregullorja e Kuvendit e përcakton qartë që kushdo deputet apo forcë politike kishte të drejtën e propozimeve për rezolutën, gjë që s’ka ndodhur. Pasi u miratua rezoluta nga grupi parlamentar i PS dhe PD tani dolën këto pretendimet. Edhe qasja e sotme me interepelancën e kërkuar me kryeministrin Rama është një marrëveshje e heshtur që i dha mundësinë kryeministrit për të folur 1 orë e gjysmë, ndërkohë që prezantuesi i interpelancës nuk kaloi më shumë se 5 minuta. Rama e përdori foltoren për të justifikuar vetën e tij. Të tjera gjëra thuhen dhe të tjera gjëra bëhen. Ne si shqiptarë përgjatë 100 viteve të fundit, Shqipëria mbetet një agresor i mundshëm në çfarë do rrethane. Edhe sikur të vendosësh paqen me Serbinë, që ato kurrë s’e pranojnë, çfarë mund të bëjnë më shumë shqiptarët. Nuk po sulmon Kosova, po sulmojnë grupet terroriste të mbështetura nga Serbia. Padiskutim Serbia është fqinji jonë, do duam marrëdhënie të mira, të respektojmë integritetin e tyre territorial, por këtë gjë duhet ta bëjnë edhe ato. Të bësh poezi sikur s’është i vërtetë ky realitet, është demagogji. Unë s’e kam takuar kurrë Albin Kurtin por e vlerësoj maksimalisht, është një njeri me shumë integritet, i ndershëm, që jeton në një shtëpi 2 dhoma e një kuzhinë edhe kur është kryeministër. Padiskutim që ndërkombëtarët kanë qëndrimet e tyre. Albin Kurti e ka thënë shumë saktë, që është shumë e rëndësishme kur je i pakorruptuar dhe në marrëdhënie me ndërkombëtarët je më i pavarur në vendimmarrje. Gjithë lukunia që iu lëshua Albin Kurtit për ta shqyer, ishte fat i Zotit që ndodhi ajo ngjarje, sepse doli fytyra e vërtet e Vuçiçit dhe e Serbisë”.
Sa i takon situatës brenda kampit demokrat, deputeti thotë:
Ne nuk duhet vetëm të qahemi dhe të themi që është Rama që po na mban peng, duhet të gjejmë rrugët dhe mënyrat që të bëhemi alternativë për shqiptarët në 2025. Nuk mund të fabrikohet dot një opozitë. Nëse do t’i japim mundësinë z.Rama dhe atyre që duan të paraqiten si opozita e ardhshme, të gëzojnë të gjitha privilegjet nga komisionerët dhe gjithçka, unë mendoj që nuk është e drejtë. Padiskutim që ne jemi PD. Sigla dhe logo sot është peng nga Rama dhe mbështetësit e tij që janë me gishtat e dorës në Parlament. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos luftojmë. Duhet të shikojmë të gjithë skenarët, të kemi një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare”.
I pyetur nëse PD-ja e Rithemelimit duhet të ndryshojë emrin, Sula shprehet se: “Nëse konflikti do vazhdojë si në kalendat greke do të thoja që s’ka rrugë tjetër”. Sula i konsideroi si qesharake vendimet e Lulzim Bashës për përjashtimet e anëtarëve dhe deputetëve demokratë.



