
Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama deklaroi se u diskutua për procesin e identifikimit të kandidaturave për Presidentin e ri.
Ai tha për mediat se në mbledhjen e Kryesisë u mor një vendim i konsoliduar se kandidati apo kandidatja nuk do të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Kriteret janë për të krijuar mjegull, nuk janë as fushat dhe as profilet që nxjerrin Presidentin e Republikës. Është e panevojshme të shkojmë në një drejtim që thjesht është për të konsumuar kohën deri ditën kur del emri. Kushtetuta ka nevojë për një garant. Republika ka nevojë për një figurë që të mishërojë normalitetin e bashkëjetesës mes palësh me besime të kundërta, bindje të ndryshme.
Patjetër që e gjithë kjo bashkësi shqiptare ka nevojë për një pikë referimi dhe në fund të fundit për një shqiptar apo shqiptare të denjë që gjithësekush do të donte ta konsideronte një person me të cilin e lidh një urë respekti.
Sa i takon negociatave me Partinë Demokratike lidhur me çështjen e Presidentit, ai foli për vijë të kuqe, duke iu referuar Sali Berishës.
Është shumë e qartë vija e kuqe për ne. Ne nuk bëjmë asnjë negociatë dhe nuk kemi asnjë komunikim për të bërë në funksion të së ardhmes me atë që në funksion të politikës është përfaqësuesi i botës së përtejme.



