
Deputeti demokrat Ervin Salianji, u ka dërguar një letër nga burgu i Fierit ambasadave perëndimore në Tiranë dhe eurodeputetëve në Parlamentin Europian, anëtarë të MSA-së.
Letra vjen ndërsa sot mbërrin në Tiranë ky delegacion europarlamentarësh dhe pjesë e grupit që do të takohet me përfaqësinë europiane është edhe deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, për denoncimin kundër vëllait të të cilit u dënua Salianji.
Gjithashtu sot skadon dhe afati i zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit.
Në letër Salianji thekson detajet e procesit të cilin e cilëson të montuar politikisht ndaj tij, dhe sqaron përfaqësuesit e shteteve perëndimore, aleatë të Shqipërisë, se kryeministri, njerëzit pranë tij dhe segmente të tij u bënë bashkë kundër denoncimit të tij, për një të dënuar për trafik droge në Itali, dhe burgosën dhe ndëshkuan denoncuesin, deputet i partisë më të madhe opozitare.
Salianji thekson “si rast të pahasur më parë” se trafiku ndërkombëtar i drogës bëri bashkë kaq shumë segmente të shtetit.
Deputeti opozitar rreshton të gjithë indiciet e përfshirjes së kryeministrit dhe të tjerëve procesin kundër tij.
Si dhe një kronikë të plotë të ngjarjes që çoi në dënimin e tij, duke renditur edhe provat shkencore që nuk u morën parasysh nga prokuroria dhe gjykata.
Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, në mbyllje të letrës e thekson si politik, procesin dhe dënimin, edhe për faktin se gjithçka ndodhi në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur ai ishte caktuar si i deleguar politik i PD për qarkun e Elbasanit, dhe kur vinte pas dy rezultateve pozitive, një në qarkun e Korçës dhe nga një fitore në bashkinë e Kavajës.
Në mbyllje, Salianji u kërkon ambasadorëve dhe eurodeputetëve që të mos bëhen dëshmitarë të vendosjes së një regjimi të ri në Europë.
Bashke me letrën përfaqësuesve të huaj u është dërguar edhe kronologjia e plotë e “dosjes Xhafaj”.



