
Avionët luftarakë të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar (RAF) kanë pikasur sërish një avion luftarak rus mbi Detin e Zi, hera e dytë kjo brenda një jave, bën me dije Ministria britanike e Mbrojtjes.
Ata u ngritën nga baza e tyre në Rumani gjatë së enjtes, pasi një avion i patrullave detare “Be-12” u pa teksa i drejtohej hapësirës ajrore të NATO-s, duke ardhur nga jugperëndimi i Krimesë.
RAF kanë rol udhëheqës në misionin patrullues nga ajri të NATO-s në këtë rajon. Rreth 150 ushtarakë britanikë janë stacionuar në bazën “Mihail Kogalniceanu” të Rumanisë.
NATO e ka shprehur prej kohësh angazhimin për të përforcuar sigurinë e krahut lindor të saj, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.
Për këtë arsye, një skuadrilje avionësh luftarakë po operon së bashku me Forcat Ajrore rumune, nga baza që ndodhet pranë Constantas, që prej muajit prill.
Ky ishte incidenti i pestë mes avionëve britanik dhe atyre rusë, që prej nisjes së misionit të NATO-s.
Të martën, dy avionë “Typhoon” britanikë ndoqën dy avionë të dyshuar rusë, “Su-30”.
Sipas Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, ngjarja e së enjtes ishte në vazhdën e “parandalimit të provokimeve ruse dhe garantimit të Rumanisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s”.
Më shumë se 800 trupa britanike janë vendosur në Estoni si pjesë e një pranie të zgjeruar të NATO-s në shtetet baltike.
Sekretari i Mbrojtjes Gavin Williamson theksoi angazhimin e Britanisë së Madhe për NATO-n dhe sigurinë evropiane, shkruan BBC.
Williamson tha: "Nëse në qiell mbi Detin e Zi dhe Balltik, ose në terren në Estoni, veprimet tona dërgojnë një mesazh të qartë ne jemi kolektivisht të gatshëm për t'iu përgjigjur çdo akti agresioni dhe do të mbështesim aleatët tanë të Europës Lindore që të pengojnë çdo kërcënim me të cilin ballafaqohen".



