
Tre vjet nga hapja plot bujë e Qendrës Komunitare të Moshës së Tretë në Palasë, ajo, nuk është funksionale.
Gjatë inagurimit u premtua se do të shërbente si qendër ditore komunitare, por edhe si shtëpi pushimi për të moshuarit dhe grupet e tjera sociale.
“Së bashku me kryetarin e Bashkisë Himarë kemi diskutuar se si ta jetësojmë këtë qendër komunitare për moshën e tretë. E kemi hapur sot me të moshuarit e vetmuar, por do të shërbejë edhe për komunitetin dhe grupet në nevojë”- deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Banorët shprehen se objekti së fundmi ka shërbyer për të kaluar pushimet verore policia e Himarës.
“Ka funksionuar vetëm 4 ditë në 4 vite. Ne banorët e fshatit mblidhemi në kafe, nuk kemi shkuar aty. Këtë vit qëndruan policët me familjet e tyre. I kemi parë vetë, bënë pushimet”- u shprehën banorët e zonës.
Për të kuptuar se cila është arsyeja që qendra komunitare nuk funksionon, emisioni “Xhadat” u interesua pranë Bashkisë Himarë, e cila fillimisht nuk u tregua e gatshme për të dhënë një sqarim. Madje gjatë përpjekjes së gazetares për të marrë informacionin kryetari i bashkisë, Jorgo Goro tentoi të largohej me makinë, por “Xhadat” arriti t’i merrtë një përgjigje.
Pyetjes se përse nuk ka funksionuar si qendër komunitare, kryetari ju përgjigj shkurt. Pyesni Ministrinë e Shëndetësisë.
Më pas “Xhadat” kërkoi një prononcim edhe nga Përgjegjësja e Shërbimit Social të Bashkisë Himarë, e cila sqaroi se Qendra Komunitare e Moshës së Tretë në Palasë është në administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne nuk kemi asnjë lloj informacioni, pasi nuk është në administrimin tonë. Kur u inagurua ka qenë edhe kryetari i bashkisë, si i pari i qytetit.
Pas kësaj përgjigjeje “Xhadat” kërkoi informacion nga Shërbimi Social Shtetëror, i cili në përgjigjen e tij zyrtare deklaroi se Qendra Komunitare e Moshës së Tretë në Palasë është në varësinë e tij. Më parë godina e kësaj qendre ka shërbyer si shkollë 8- vjeçare, por sipas Urdhrit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nr. 323, të datës 07.12.2015 ajo u shndërrua në qendër komunitare.
“Kjo qendër është hapur në vitin 2019 dhe ka funksionuar si një shtëpi pushimi për përfituesit e shërbimeve në institucionet e përkujdesit shoqëror në Shqipëri. Prej fillimit MSHMS ka shprehur gatishmërinë e saj që të përdoret edhe si një qendër komunitare.Qendra Komunitare për Moshën e Tretë Palasë është ndërtuar dhe mbulohet me fonde nga buxheti i shtetit.”
Sa i takon deklaratave të banorëve të Palasës se qendra është shfrytëzuar nga punonjësit e policisë për të kaluar pushimet verore, Shërbimi Social Shtetëror i hodhi poshtë ato :
“Nuk është e vërtetë që kjo qendër është shfrytëzuar nga Policia e Shtetit për pushime verore”.
Nga ana tjetër ky institucion pranon se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i ka drejtuar kërkesë për shfrytëzimin e ambienteve për 1 muaj, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana e SHSSH dhe MSHMS.
Qendra Komunitare e Moshës së Tretë në Palasë është një investim i qeverisë, i cili ka kushtuar 82 milionë lekë, por që për fat të keq nuk i shërben askujt .



