Për të incentivuar përpunimin në vend, rritjen e investimeve, punësimin si dhe një shfrytëzim më të balancuar dhe të qëndrueshëm të mineraleve që janë pasuri kombëtare, qeveria shqiptare ka propozuar përjashtimin (taksë zero) nga taksa e rentës minerare për vitin 2021 për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare (ferrokromi, koncentratet e kromit dhe të bakrit). Ndërsa për periudhën pas vitit 2021 Komisioni propozoi 1/3 e taskës së rentës minerare.
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot projektligjin e miratuar nga qeveria. Relatori i projektligjit, deputeti socialsit Ervin Bushati deklaroi se në grupin e mineraleve metalore që preken nga ky projektligj përfshihen kromi dhe bakri. “Ky është grupi më i rëndësishëm i mineraleve, që përfaqëson rreth 85% të investimeve që realizohen çdo vit në industrinë minerale. Brenda ketij grupi, minerali kromit ka peshën më të madhe me rreth 80% të investimeve”, tha ai.
Industria minerare përfaqëson ndër vite një nga sektorët me kontribut të qenësishëm në terma të rritjes ekonomike dhe të punësimit në vend. Produktet e industrisë minerare përbëjnë gjithashtu një ndër kategoritë kryesore të eksporteve vendase, e cila, ndër vite, ka kontribuar pozitivisht në përmirësimin e bilancit tregtar vendas.
Eksportimi i mineralit të kromit të përpunuar paraqet vlerë rreth tre herë më të lartë sesa në rastin kur minerali është i përpunuar. Kjo përkthehet në fitim më të madh për vendin në terma të prodhimit të brendshëm bruto, eksporteve dhe vendeve të punës, Procesi i përpunimit, si një proces që i shton vlerë mineralit bazë kontribuon ndjeshëm në ngushtimin e deficitit tregtar vendas dhe do të kontribuonte në zhvillimin ekonomik lokal pasi dhe zonat në të cilat operon ky sektor janë dhe zonat me zhvillim ekonomik më të ulët.



