
Dorjan Aliko, Pergjegjes i Sektorit te bashkëpunimit ndërkombëtar, në një lidhje telefonike nga Malatya, një nga qytetet më të prekura nga tërmeti i të hënës në mëngjes deklaroi se aktualisht janë ende duke punuar intensivisht për nxjerrjen e njerëzve.
Ai tha se moti shumë i ftohtë e ka vështirësuar edhe më shumë këtë situatë, teksa bëri të ditur se shumë vende i janë gjendur pranë Turqisë duke dërguar skuadrat e shpëtimit.
Aktualisht jemi në Malatya, një nga qytetet më të prekura në zonën e lindjes së Turqisë. Jemi që mëngjes herët duke punuar intensivisht. Skuadrat tona të shpëtim kërkimit i janë drejtuar një objekti të rrëzuar dhe janë duke punuar për nxjerrjen e njerëzve, fatkeqësisht tashmë të pajetë. Çdo orë që kalon bëhet dhe më e vështirë sepse kemi të bëjmë dhe me një mot shumë të ftohtë dhe kjo e vështirëson dhe komplikon dhe më tepër situatën për gjetjen e njerëzve me jetë, por deri mbrëmjen e djeshme kemi gjetur njerëz të gjallë.
Më tej ai shtoi se ka dhe pjesëmarrje të shumë vendeve të tjera që kanë dërguar skuadrat e tyre të kërkim shpëtimit dhe se është duke u bërë një punë intensive nga gjithkush.
Mbrëmë dhe sot deri në 6 të mëngjesit janë nxjerr 26 trupa të pajetë dhe sot paradite forcat tona janë dërguar drejt një pallati 6 katësh i shembur dhe i mbushur me njerëz dhe aty është duke u punuar intensivisht. Situata është shumë tragjike, njerëz që kanë humbur të afërm të tyre, ka shumë kolegë tanë turq që vazhdojnë kërkimet duke kontribuar edhe pse kanë humbur të afërm të tyre. Çdo njeri që ndodhet këtu duhet të kontribuojë për të fituar dhe kohë dhe për të sjellë situatën në një normalitet të mundshëm.
Në fund ai theksoi se operacionet e shpëtim kërkimit janë shumë delikate, ndërsa bëri me dije se ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e situatës.
Për situatën që janë ekipet e shpëtimit të Turqisë janë shumë të organizuar por në një situatë të tillë jam i bindur se asnjë shet në botë nuk do e menaxhonte dot 100% këtë situatë. Por nga ana e tyre ka shumë profesionalizëm dhe me kapacitete të mjaftueshme për ta kaluar. Në fakt këta kanë krijuar disa qendra të tyre të emergjencave civile që ofrojnë ushqim dhe çdo gjë të nevojshme për njerëzit ku vazhdimisht vijnë njerëz që ushqehen dhe akomodohen.



