Kryeministri Edi Rama vazhdon debatet me ndjekësit e tij në rrjetin social. Pas publikimit të një video të bashkëbisedimit mëngjesin e sotëm mes tij dhe disa pensionistëve, kryeministri nuk ka ngurruar që të kthejë përgjigje edhe për kritikët që e ndjekin në "Facebook".
Një prej tyre i shkruan se biznesin e madh e ngope deri në gurmas ndërsa të mesmin dhe të vogëlin e fute në dhe. Kaq ka mjaftuar që Rama ti kthej përgjigje ashtu siç di vetë, ndërsa ka përdorur nota ironie dhe humori për një tjetër që e ka pyetur pse flet për Berishën kur ai nuk është prezent në bisedë.

Por nuk ka mbaruar me kaq pasi kreu i qeverisë ka hapur televizionin e tij. Rama prej kohësh ka zgjedhur që të komunikojë drejtpërdrejt më qytetarët, përmes rrjeteve sociale, duke shmangur kështu deri diku mediat. Këto të fundit, jo pak herë i ka quajtur dhe media kazani, duke treguar se nuk i pëlqen mënyra sesi përcillen lajmet.
Për këtë ai prej disa muajsh çdo të diel e zhvillon online komunikimin e tij javor.
Por mesa duket, ai nuk është dakord as me mënyrën sesi zhvillohen emisionet politike në vend, pasi ka zgjedhur “të hapë” vetë një të tillë. Padyshim online, në profilin e tij në “Facebook”.
“ERTV Live – Studio e hapur opinionesh të ekspozuara”, shkruan kryeministri Rama me humor, duke treguar kështu sesi e quan televizionin e tij, “ERTV” pra “Edi Rama TV”.




