
Në Ditën e të Dashuruarave, në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, erdhi rrëfimi i dashurisë mbi gjashtë dekada mes Liljana dhe Faruk Kalleshit.
Të njohur që në vegjëli, kur ishin pjesë e grupit të Cirkut në Shkodër, ata u bënë bashkë në jetë dhe vazhdojnë të jetojnë me respekt dhe dashuri, edhe pas 64 vitesh në krah të njëri-tjetrit.
Liljana dhe Faruku janë një shembull i dashurisë së vërtetë, që ka arritur të kalojë çdo periudhë të jetës, duke ruajtur gjithmonë lidhjen dhe përkushtimin e thellë ndaj njëri-tjetrit.
Faruk Kalleshi:
Unë do të nis me treguar se si u lidha, sepse unë u bëra shkak, sepse Liljana më gjeti aty te grupi i cirkut në Shtëpinë e Pionerit.Kur isha fëmijë i vogël, isha cuni i tretë, isha 13 vjeç, ndërsa Liljana ishte 9 vjeç. Aty, në rrethin e akrobatëve, unë spikatesha si më i shkathët dhe një ditë të bukur, vjen një vajzë me një fustan të bukur. Ajo ishte marrë për balet, por profesori i cirkut, i cili punonte me ne, nxori dy talente të mëdhenj. Ajo erdhi dhe që në momentet e para, tregoi talentin e saj në akrobaci dhe ngeli kryesore.
Ajo më ngeli në mendje. Në atë kohë, si fëmijë, simpatia për vlera ishte më e madhe se dashuria. Megjithatë, ajo gjithmonë më shihte me dashamirësi.
Ne u rritëm si grup artistik në teatrin ‘Migjeni’, dhe pas një periudhe filloi të lindte ajo që ishte më shumë se një simpati. U bëmë shokë, dhe baballarët tanë ishin miq. Duke u rritur, zemrat tona filluan të rrihnin për njëri-tjetrin.
Avash-avasht filloi edhe prekje, sepse cirku do që të prekësh këmbët, duar, kështu që filloi gjithçka. Edhe sot, pas kaq vitesh, pensionin që marr, ia dorëzoj asaj, sepse po të mos ishte Liljana, nuk do të kisha arritur kaq larg, as në sport si ish-kampion shtangist.
Liljana Kalleshi:
Dashuria jonë ka filluar ngadalë dhe në heshtje. Dërgonim letra njëri-tjetrit. P.sh., Faruk më shkruante se ku po ishte, çfarë po bënte, si ishte puna.Kjo ka nisur fillimisht me punën. Pastaj, kur ai shkoi në ushtri, dhe u kthye, unë isha instruktore, si 15 vjeçare, dhe kur e pashë, thashë: Ky është i imi.
E kam dashur jashtë mase dhe kjo është një dashuri shumë e rrallë. Jam shumë e lumtur që e kam në krah, 64 vjet me të, pa u ankuar asnjëherë për të.
Nuk është një gjë e vogël. Sot, vazhdoj të jem një grua e përkushtuar, stërvitem ende, kam mbajtur gjithmonë familjen. Jam gjithmonë në aktivitet, dhe gjithçka që kemi arritur, e kemi bërë bashkë. Toleranca ka qenë çelësi i gjithë dashurisë tonë.



