Hamasi ka liruar gjashtë pengje izraelitë në Gaza, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të arritur muajin e kaluar.
Dy të parët, Tal Shoham, 40 vjeç, dhe Avera Mengistu, 38 vje, u liruan në Rafah të shtunën në mëngjes dhe më pas u dorëzuan Forcave të Mbrojtjes të Izraelit nga Kryqi i Kuq.
Në një ceremoni të zhvilluar në Nuseirat të Gazës, katër pengjet e tjerë — Eliya Cohen, 27, Omer Shem Tov, 22, Omer Wenkert, 23, dhe Hisham al-Sayed, 37 — u liruan pas një parade simbolike të organizuar nga militantët e Hamasit.
Ndërkohë, eshtrat e Shiri Bibas, një tjetër peng izraelit, mbërritën në Tel Aviv të premten mbrëma, pasi ishin dorëzuar nga Hamasi. Identifikimi mjeko-ligjor konfirmoi vdekjen e saj në robëri, një lajm që u prit me trishtim nga familja dhe opinioni publik izraelit.
Pas lirimit të këtyre pengjeve, në Gaza mbeten 63 izraelitë të rrëmbyer nga Hamasi, 32 prej të cilëve mendohet të jenë të vdekur. Ndër ta përfshihet edhe ushtari Hadar Goldin, i rrëmbyer në vitin 2014. Procesi i dorëzimit të trupave pritet të përfundojë javën e ardhshme.
Ndërkohë, negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për zgjatjen e armëpushimit po vazhdojnë.
Hamasi ka shprehur gatishmërinë për të liruar të gjithë pengjet e mbetur, të gjallë dhe të vdekur, në këmbim të tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza.
Armëpushimi aktual u arrit pas disa javësh bisedimesh në Katar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë presion për një zgjidhje afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez.
Sipas marrëveshjes, Izraeli do të lirojë 602 të burgosur palestinezë, mes të cilëve 50 me burgim të përjetshëm dhe 60 me dënime afatgjata.



