Rasti i një marrëdhënieje të pazakontë të krijuar mes një mësueseje dhe nxënëses së saj është pasqyruar sot nga mediat italiane. Gjithçka ka nisur në vitin 2023, në një shkollë në Pescara, ku një mësuese 55-vjeçare ka abuzuar seksualisht me nxënësen e saj 14-vjeçare.
Vajza, në atë kohë 14 vjeçe, nuk u kishte thënë asgjë prindërve, por kishte folur për këtë me psikologen e shkollës. Pas verifikimeve që kreu policia, rezultoi se mësuesja 55-vjeçare kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Asaj iu ndalua për 12 muaj çdo kontakt me nxënësen e saj.
Sipas hetuesve, gruaja “duke përfituar nga roli i profesoreshës dhe pozita relative e epërsisë dhe autoritetit”, e ka bindur vajzën.
Mes tyre është krijuar një marrëdhënie e mirëfilltë emocionale. Fillimisht miqësi, më pas shkëmbim i mesazheve në WhatsApp, deri në arritjen e një marrëdhënieje të plotë seksuale në shtëpinë e mësueses.
Marrëdhënia ka zgjatur pak, për shkak të xhelozisë nga ana e mësueses, derisa vajza vendosi t'i jepte fund lidhjes. Në atë fazë, në të cilën performanca e saj akademike u ul, ajo iu drejtua psikologes.
Gjykata nuk pranoi kërkesën për arrest shtëpiak për mësuesen dhe zgjodhi vetëm pezullimin nga mësimi. Në fakt, nuk u konsiderua e mundur që ajo të mund të kryente sërish krime të ngjashme. Mësuesja tani akuzohet për abuzim me marrëdhënien e kujdestarisë dhe për akte seksuale të kryera në kuadër të një marrëdhënieje pushteti. Duke pasur parasysh moshën e viktimës, gruaja mund të akuzohet edhe për sulm seksual.



