Në gusht pritej që importin e energjisë pritej ta bënte KESH, por Banka Botërore nuk ka dhënë ende OK për përdorimin e fondit 22,4 milionë euro për import energjie parashikuar në kredinë për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë. Në këto kushte, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) hap sot (24 korrik 2017) tenderin për blerjen e energjisë për periudhën 1 deri më 31 gusht. OSHEE importoi vetëm për korrikun mbi 22 milionë euro energji për të siguruar furnizimin publik me energji dhe për të mbuluar humbjet. Në fakt kompania ka bërë vetëm shpalljen, në mënyrë që palët e interesuara të shprehin interes. OSHEE pret oferta për tre opsione furnizimi. OSHEE ka ftuar operatorët që të bashkëngjisin oferta për sigurimin e një fuqie deri 170 MW në harkun kohor 00:00-24:00, pra plotësisht import për periudhën nga 1-31 gusht. Së dyti, mund të jepen oferta për një fuqi deri në 350 MW në periudhën orare 07:00-23:00, pra për 16 orë furnizim. Opsioni i tretë për të cilën kompanitë e interesuara mund të japin oferta është për një fuqi deri 180MË në një hark 000:00-24:00. Kjo është faza e parë, ndërkohë që pritet që kompanitë të bashkëngjisin ofertat e tyre të cilat duhet të jenë të vlefshme deri në datë 26 korrik. Do të jetë Operatori i Shpërndarjes ai që do t’i zgjedhë dhe më pas do të hyjë në negociata me secilin prej operatorëve që ka dhënë edhe ofertën më të arsyeshme.



