
Rikthehet normaliteti në Aeroportin ndërkombëtar i Rinasit pas reshjve të shiut që përfshin gjithë vendin mbrëmjen e djeshme.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, “TIA” bën me dije se gjatë së premtes vonesat e fluturimeve kanë qenë sporadike dhe kanë pasur të bëjnë me fluturimet drejt Stambollit dhe Romës.
“Të gjitha fluturimet po kryhen normalisht, përveç disa vonesave”, thuhet në njoftim.
Sipas deklaratës thuhet se dy fluturime në drejtim të Tiranës janë devijuar mbrëmjen e shkuar, duke ardhur në aeroport pas shumë orësh.
“Më 30 Nëntor 2017, dy fluturime të cilat ishin parashikuar për t’u ulur në orën 21.50 janë devijuar. Dy fluturimet e Shoqërive Ajrore Pegasus Airlines dhe Blue Panorama, kanë zbritur në Shkup dhe Bari përkatësisht. Më vonë, Pegasus Airlines është ulur në Tiranë në orën 02.50 ndërsa Blue Panorama ka akomoduar pasagjerët në një hotel në Bari. Fluturimi BP është nisur nga Bari në orën 09.00 për të zbritur më pas në Tiranë në orën 09.35”, thuhet në një njoftim për shtyp
Tre kompani ajrore, Turkish Airlines, Austrian Airlines dhe Alitalia kanë anuluar fluturimet e tyre të mesnatës për t’i operuar ato ditën e sotme më datë 1 Dhjetor.
Pasagjerëve që zbresin në këtë aeroport, TIA u ka sugjeruar që të ndjekin njoftimet e institucioneve zyrtare, ndërsa u ka këshilluar të bëjnë kujdes në zgjedhjen e rrugëve ku do të kalojnë.
Në rast nevoje për asistencë, qytetarëve ju kërkohet të telefonojnë në Qendrën e Informacionit të TIA-s.



