Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri-CRCA mbylljen e të gjithë qendrave rezidenciale të fëmijëve jetimë në Shqipëri, qofshin ato publike apo private. Kjo kërkesë vjen pas rasteve të denoncuara qoftë edhe në media, të dhunës seksuale dhe bulizmit në këto institucione, ndërkohë që kërkohet edhe ngritja e një komisioni hetimor për të gjithë këto raste.
“Ajo çfarë kërkohet është më shumë ndryshimi i mentalitetit që insitucionet publike shqiptare, politikanët shqiptarë, kanë përsa i përket çështjes së institucioneve. Dhe ka dy probleme kryesore. E para, që institucione të tilla për shkak se punësojnë një numër të madh personash, 30, 40, 50 100, sigurisht që kthehen në burim punësimi pastaj. Dhe e dyta, ka një mentalitet ende të vjetër përsa i përket qasjes ndaj kujdesit të fëmijëve. Unë mendoj se kjo është pengesa kryesore”, thotë në një prononcim për Tema TV, drejtori i CRCA, Altin Hazizaj.
Kjo nuk është hera e parë që Shtëpitë e Fëmijëve, si qendra rezidenciale të përhershme të kujdesit për fëmijët jetimë dhe ata të braktisur nga prindërit biologjikë në Shqipëri, vendosen në qendër të akuzave dhe raportimeve për përdorim të dhunës fizike dhe seksuale ndaj fëmijëve.
“Ne kemi kërkuar që në 2016 mbylljen e këtyre institucioneve. Dhe e kemi kërkuar këtë jo thjesht vetëm sepse ka patur dhe gjithmonë do të ketë dhunë seksuale, ngacmime seksuale apo edhe ngjarje të tjera të rënda në jetimore apo në këto qendra rezidenciale, por përtej kësaj, edhe sikur të marrim rastin e Rumanisë. Rumania nuk mund të bëhej anëtare e BE-së derisa t’i kishte mbyllur të gjitha ato që quhen qendra rezidenciale apo shtëpi fëmije. E treta që është një faktor edhe më i fortë është fakti që 60 % e fëmijëve që qëndrojnë në qendra rezidenciale janë fëmijë me prindër. Pra nuk janë fëmijë jetimë në atë kuptimin standard që u ka vdekur një ose të dy prindërit dhe është shteti që ushtron kujdesin prindëror se mbase është nuk kanë gjyshër apo persona që të kujdesen”, thotë Hazizaj.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri ka kërkuar publikisht, që në vitin 2016 mbylljen e të gjitha institucioneve rezidenciale, për shkak të rasteve të përsëritura të dhunës fizike dhe seksuale në këto institucione.



