
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar të turpshëm vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Basha tha se ky vendim provon që drejtësia në Shqipëri është nën kontrollin e kryeministrit.
“Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit”.
Më tej, Basha shprehet se Tahiri i shpëtoi burgut sepse ai e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin.
Edhe LSI ka reaguar pas vendimit të gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm.
Në një deklaratë të Lëvizjes Socialiste për Integrim thuhet se vendimi tregoi se drejtësia është peng i krimit të organizuar dhe kryeministri Rama është peng i Tahirit.
“Për LSI, vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda tregon qartë se drejtësia është marrë peng nga krimi i organizuar dhe Edi Rama është peng i Saimir Tahirit dhe strukturave kriminale.
Edi Rama ka bërë gjithçka për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe ka përdorur çdo mekanizëm të tijin sepse Edi Rama është peng i dosjeve korruptive dhe i familjarëve të tij”, thuhet në deklaratë.



