Kunati i mbretit të Spanjës u dorëzua pranë autoriteteve të burgut, ku do të vuajë një dënim prej 6 vitesh për mashtrim me taksat dhe përvetësim. Inaki Urdangarinu paraqit në burgun e Brievas sot në mëngjes. Atij i ishte lënë një afat 5-ditor për t’u dorëzuar vetë, pas vendimit të gjykatës.
Burgu me 162 qeli ku ai do të vuajë dënimin është kryesisht për femrat, por ka një ndarje për meshkujt. Ai është zgjedhur për shkak të afërsisë me Madridit, gjë që do t’ia bëjë më të lehta vizitat gruas së tij, princesha Kristina, e cila është motra e mbretit Felipe VI, raporton “El Pais”.
Urdangarin është gjetur fajtor në shkurt të vitit të kaluar për përdorimin e lidhjeve mbretërore për të fituar kontrata publike për organizmin e eventeve nga OJQ-ja e tij, “Noos Foundation”. Po ashtu, ai u shpall fajtor edhe për fshehjen e miliona eurove jashtë vendit.
Princesha Kristina, e cila jeton në Gjenevë me 4 fëmijët, u lirua nga akuzat për mashtrim tatimor pas një gjyqi njëvjeçar në lidhje me fondacionin e drejtuar nga bashkëshorti i saj.
Kristina ishte anëtarja e parë e familjes mbretërore spanjolle që është ulur ndonjëherë në bankën e të akuzuarve.



