
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thotë se shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, nuk është fajtore për ndërprerjen e dialogut, pasi fajtorë për këtë mund të jenë vetëm dy palët, Prishtina dhe Beogradi.
“Le të mendojnë mirë në Prishtinë se kush është fajtor. Të mendojnë se cila palë dëshironte dialog dhe kush nuk e dëshironte atë”, ka deklaruar Vuçiq për televizionin publik serb.
Ai është shprehur se pret që në të ardhmen Prishtina të kuptojë se me “masa të dhunshme dhe joligjore” nuk mund të arrijë asgjë.
Reagimi i tij vjen pas një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit fajësoi të martën shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për “mbytje” dhe “çrregullim” të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.



