Ish-ushtaraku Faik Skopeci në një lidhje skype nga Italia në “Zgjohu me MCN” ka folur për pasionin e tij për pikturën ku në vitin 2000 ka çelur dhe ekspozitën e tij të parë në qytetin e Laçit.
Ai tha se piktura ka qenë një pasion i kahershëm në jetën e tij, dhe ka qenë bashkëshortja e tij ajo që e ka shtyrë më shumë për të realizuar këtë pasion të tij të fshehur.
Faiku cilësohet si një mjeshtër i peizazheve, për të cilën shprehet se ajo është dhe pjesa e tij më e fortë në pikturë duke qenë se është rritur dhe në ambiente fshati.

Peizazhi është ajo pjesa ime më e fortë në pikturë. Unë jam rritur në ambient në fshat dhe më tërheqin shumë rrethinat dhe pjesa e urave. Unë e nisa pikturën në ‘97 dhe për hir të së vërtetës nuk ja kisha haberin fare anës teknike të pikturës sepse nuk kisha ndjekur asnjë kurs.
Bëra 2-3 pikturat e para në Laç dhe bashkëshortja ishte pranë meje dhe më shikonte vazhdimisht si një kamera dhe më thotë në një moment që nuk duhet të lësh këtë pasion. Ekspozitën time të parë e kam hapur në Laç, por dhe vendlindjen time Librazhdin nuk e kam lënë pas dore, pasi e kam në planet e mia hapjen e një ekspozite dhe atje.
Ndërsa lidhur me karrierën e tij 22 vjeçare si ushtarak, Faiku tregon se në fillim nuk ka qenë zgjedhja e tij, por që më pas është dashuruar dhe me këtë profesion.
Karriera ime ushtarake ishte një zgjedhje e të tjerëve por më pas u përshtata, megjithëse tani nuk jam penduar pse u futa në një karrierë ushtarake. Më pas jam dashuruar me atë profesion, ishte një proces që i vinte në ndihmë komunitetit. Karrierën time e kam nisur në Burrel, pastaj në Laç dhe së fundmi në Tiranë. 22 vite po e ndaj në dy pjesë, 11 vite ushtarak mirëfilli xhenier, dhe pastaj nga 2002 deri 2013 kur mbylla karrierën ishte ushtarak dhe marrëdhënie me median.
Pjesën e xhenios kur kam mësuar të montoj urat metalike ishte një gjë shumë e bukur, në shkollë e kishim bërë pak por më pas kam bërë një kurs 3 mujor në Itali sepse të ndërtosh një urë për një komunitet ishte diçka shumë e bukur, pastaj dhe marrëdhënia me median ishte një gjë edhe më e bukur. Ka shumë ish kolegë të mitë që e kanë lënë profesionin, por unë i vendosa vetes qëllimin për ta vazhduar pavarësisht periudhave të vështira që ka profesioni i ushtarakut.



