
Për kandidatin e Nismës Thurje, Endri Shabani, problemi që ka shoqëria shqiptare është dorëzimi i intelektualëve. Në studion e “Arnautistan”, në MCN TV, Shabani tha se tërheqja e intelektualëve i ka garantuar komoditet politikës, e cila qeveris me militantët.
Në Shqipëri, politikanin e shohin si pronar. Më ka bërë përshtypje debati me dikë. Ishte i sëmurë. I thashë ke shkuar në spital? Tha jo, më mirë vdes në shtëpi se shkoj në spital. Por do vazhdoj të votoj për Edi Ramën. Pse? Sepse nga një aeroport ka bërë pesë. Njerëz të tillë ka, nuk ka vetëm në Shqipëri, ka në çdo vend të botës. Me njerëz të tillë, një njeri që ka pasur mundësi të shkollohet duhet të kujdeset për të se ai është i paaftë të kujdeset për veten. Problemi është mobilizimi i pjesës qytetare dhe intelektuale. I kanë sytë në ballë dhe e kuptojnë, por i ka zënë pesimizmi. Kanë krijuar bindjen që gjërat nuk ndryshojnë, të gjithë janë njësoj. E kanë humbur besimin te politika, ndërkohë që nuk shoh tjetër instrument për t’i ndryshuar gjërat. Duke u dorëzuar këta, ata që e dominojnë politikën janë të qetë. Vazhdojnë të qeverisin me këtë që beson te pesë aeroporte por nuk ka spital.



