
Kryeministri francez, Eduard Philipe, pranoi se qeveria e tij ka gabuar në menaxhimin e situatës gjatë protestave të jelekëve të verdhë, që kanë përfshirë vendin në 5 javët e fundit.
“Kemi bërë gabime. Nuk e dëgjuam sa duhet popullin francez. Jam i bindur se ajo që duan ata është transformimi i këtij vendi”, i ka thënë ai gazetës “Les Echoes”.
Dhuna në demonstratat e “jelekëve të verdhë” ka shënuar shifra rekord që nga fillimi i tyre më 17 nëntor. Mes të plagosurve ka pasur edhe shumë oficerë të policisë.
Qytetet franceze u përfshinë në kaos, pasi protestuesit thyen xhama dyqanesh, përmbysën makina dhe dogjën barrikada.
Në fillim të këtij muaji, edhe ministri i Financave, Bruno Le Maire, pranoi se protestat kanë qenë një katastrofë për ekonominë e vendit.
Pesë të shtunat e fundit në Francë kanë qenë një sfidë e vërtetë për forcat e sigurisë franceze. Mijëra policë, të pajisur me mjete të Xhandarmërisë Franceze, zbritën në rrugët kryeqytetit dhe qyteteve të tjera franceze. Numri i të arrestuarve gjatë protestave në total arriti në 4500.
Francezët u ngritën fillimisht në protest kundër rritjes së çmimit të karburantit, për shkak të hyrjes në fuqi në janar të taksës së mjedisit. Qeveria dhe presidenti Macron kanë bërë disa lëshime, përfshirë uljen e disa taksave dhe rritjen e pagës minimale, por demonstruesit nuk janë të kënaqur.



