I riu, Benzi dhe zjarri
Bota po shkon drejt kyçjes, ekonomia drejt tkurrjes -përveç një vendi që e ka emrin Shqipëri, ku çdo gjë shkon më së miri - ekzistenca e secilit në pikwpyetje, e kështu me radhë, e megjithatë, në mënyrë të natyrshme, njerëzit kanë 'takatin' t'i dhurojnë 10 milionë klikime, që të mos harrojmë janë edhe para', videos së blogerit rus që djeg Mercedesin e tij 180 mijë dollarësh, për arsye mistike: kishte probleme, dhe kompania nuk ia rregulloi. Ky hall i zi, kjo ngjarje e kobshme, e detyroi djalin të ndërmerrte veprimin e skajshëm: një fushë e gjerë, një bidon benzinë, dy kamera dhe një dron, dhe pjesa tjetër është histori. Nëse ndonjëri prej jush ka dyshime, po ju citoj lajmin, ashtu si nëpër portale, është paraqitur:
Një bloger i njohur rus ka djegur makinën e tij luksoze Mercedes GT63s që e kishte blerë 180 000 dollarë, pasi nuk ishte i kënaqur me shërbimin teknik të ofruar nga marka gjermane.
Të mendosh që ka njëmijë mënyra në këtë kohë krize për të 'hequr qafe' 180 milionë dollarë, por ja që nëse këto para i përdor po them unë -me aq pak sa di për krizën sepse duke jetuar në Shqipëri, unë konceptin 'krizë' nuk e njoh- në ndihmë të një reparti terapie intensive, video është aq e mërzitshme, aq e vakët, sa mund të të djegë figurën prej blogeri 'elitar'. Ndaj mes djegies së numrit të ndjekësve dhe djegies së Mercedesit, duket qartë cila ka qenë zgjedhja e mençur e këtij djali po kaq të mençur, në këtë kohë të çmendur.
Transporti rrugor, aboneja dhe drithërima shtesë
Qeveria sapo ka hedhur në 'tavë' një lojë të re, me karakter matematiko-ekonomik. Loja është e thjeshtë, por jo për këtë arsye e mërzitshme dhe pa adrenalinë. Për momentin, fatin për të luajtur e kanë veç banorët e Durrësit, por së shpejti mendohet që mundësia t’u jepet të gjithëve. Në qendër të lojës, qëndron një kërkesë , vetëm një-për nivelin e parë të paktën- si të kalosh muajin kur rriten edhe çmimet e transportit rrugor! Fatkeqwsisht studentët janë përjashtuar nga loja: aboneja mujore për ta, me vlerë 600 lekë, nuk ndryshon, për abonimet për një linjë tarifa shkon nga 900 lekë në 1200 lekë, kurse abonimi i përgjithshëm shkon nga 1200 në 1600 lekë.
Heshtja e qytetarëve, që me siguri ka të bëjë me përqëndrimin për të luajtur fort, tregon që jo vetëm janë të kënaqur, por me padurim presin nivelin e dytë të lojës, për më shumë drithërima.
Kjo ishte loja...
Mesa duket, vështirësimi i lojës, vjen nga disa fronte dhe kjo është e bukura. Kjo është arsyeja mbi të gjitha pse ne këtë vend e duam: na dhuron aventurën dhe pasigurinë, aq të nevojshme për bohemë e vizionarë si ne. Nëse ndodh për shembull që ti ke vështirësi për ta çuar muajin deri në fund, e kërkon ndihmë, surpriza është që nuk ke asnjë ndihmë. Për çfarë ndihme e kam fjalën? Po mund të ketë për shembull ndonje mendje-dembel që mendon se fundja mund të marrë kredi, për t'ia lehtësuar vetes situatën. Dihet që kjo e bën lojën të mërzitshme, ndaj lajmi vjen nga fronti i bankave:
Kreditimi i ekonomisë, bankat perceptojnë rrezik, shtrëngojnë kushtet.
Shtrëngimi i kushteve do të thotë se për të marrë hua, një biznes mund të marrë një shumë më të vogël kredie, duhet të përballet me interesa më të larta, dhe të vërë në dispozicion më shumë kolateral.
Duhet një falenderim i veçantë, për këtë hap të ndërmarrë për të na ndërtuar një durim të hekurt, një tolerancë jo të vogël ndaj vështirësive, dhe një pengesë më shumë drejt aftësisë për të duruar gjithçka.
E DREJTA E AUTORIT: Dëgjesa ku nuk u dëgjua!
Cila është kënga e parë që ju vjen ndër mend nëse përmendim reklamat? Mua për shembull, refreni 'A-a-abbronzatissima' , më tingëllon si kolona zanore e çdo reklame verore: që nga akulloret e gjer te kremrat e kësaj stine. Autorët e asaj kënge, jetojnë të qetë -ose të paktën mund ta bëjnë- vetëm si pasojë e një kënge fatlume. Vetëm një. Ata mund ta kalojnë gjithë jetën, në vilën e tyre në fshat, duke u marrë me kopshtin, vetëm se rastësisht, pas 'A-A' shtuan edhe ca rrokje e shkruajtën një këngë për një vajzë më trup të nxirë prej rrezeve. Gjithë kjo përrallë për t’ju shpjeguar se këtë magji e bën të mundur, ushtrimi i së drejtës së autorit. Ne që me të drejtën e parkimit kemi probleme, mendoni pak, si jemi me atë të autorit.
Lajmi bën kështu:
E drejta e autorit ka qenë gjithnjë një debat me shumë zëra, këtë dekadë. Artistët marrin pak, e thuajse aspak ata që nuk e kuptojnë këtë debat dhe hallkat nëpër të cilat duhet të kalojë shpërblimi i tyre.
Një dëgjesë publike për të drejtën e autorit ka përfunduar gjithnjë kështu, një kakofoni nga ku vështirë të kuptosh ku çalon dhe kush është përgjegjësi për shpërblimet qesharake të artistëve.
Me pak fjalë dëgjesa bëhet, po autori flet për të drejtën e autorit, pa ditur se çfarë është saktësisht, apo të paktën kështu më sugjeron rreshti i parë.
E me kaq po e mbyll. Domatet në vilën në fshat, autori shqiptar, do i këpusë në një jetë tjetër. Urojmë të ketë lindur autor edhe në atë jetë...
Ka një vend në botë, ku mund të sëmuresh vetëm një ditë në javë
Ashtu sikurse, ka dhe një lajm si ky që nuk ka nevojë për komentin tim se realiteti tejkalon fantazinë:
Njësia administrative e Steblevës në Librazhd, përfshin 5 fshatra dhe për 2 mijë banorët e zonës, kushti i vetëm për të marrë shërbim shëndetësor, është të sëmuren ditën e martë.
Ankesat e përhershme të banorëve për këtë problem bien gjithnjë në vesh të shurdhër, kurse banorëve iu mbetet vetëm t’u drejtohen spitaleve të Librazhdit dhe Elbasanit, e jo në pak raste dhe atij të Tiranës.
Po të shtosh këtu që unë të martën e kam aq ters, sa do sëmuresha me siguri një ditë tjetër, ajo që më gëzon është që nëse do jetoja në Steblevë, në mes të acarit, veshëve të shurdhër, dhe mjekut që nuk dihet pse ka zgjedhur të martën, do kisha mundësinë të bëja turizëm shëndetësor duke vajtur në Elbasan apo Librazhd. E çfarë do më shumë se kaq? Një rrugë e dy punë.



