Arben Ahmetaj ka bërë betimin si ministri më i ri i kabinetit “Rama 2”. Pas emërimit në detyrën e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Ahmetaj është betuar në Presidencë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri i Shtetit për Rindërtimin, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave u rikthye në kabinetin “Rama” këtë muaj, me detyrën e re të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, një post që qeveria e pa të domosdoshëm pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.



