
Zgjedhjet e 6 tetorit sollën ndryshim të rrënjësishëm në skenën politike në Kosovë. Me dalje prej rreth 45 për qind në zgjedhje, qytetarët dje ndëshkuan ashpër partitë të cilat qeverisën me shtetin e Kosovës që nga paslufta.
Rrjedhimisht, sovrani përcaktoi si fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas rezultateve preliminare mori rreth 26 për qind të votave. Menjëherë pas LVV-së u rangua LDK-ja, e cila pavarësisht tentimeve për ta rikthyer primatin e dikurshëm nuk ia doli ta bëjë një gjë të tillë.
Ndërkohë, derisa PDK-ja u radhit e treta nga rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), AAK-ja ngeli e katërta, ndonëse në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare garoi në koalicion me PSD-në.
Kurse Nisma Socialdemokrate, e cila në zgjedhje u bë bashkë me AKR-në e me PD-në, sipas rezultateve të para nuk ka arritur ta kalojë fare pragun zgjedhor.
Në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197.966 vota ose 25,79%. E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%.
Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave. Kurse, koalicioni AAK-PSD, ka marrë 89.287 vota ose 11,63%.
Koalicioni Nisma socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re ka marrë 37.786 vota ose 4,92 përqind.
Ndërsa, lista serbe ka marrë 47.633 vota ose 6,21 përqind.

Lëvizja “Vetëvendosje ka fituar më së shumti komuna nëpër Kosovë.
Gjithsej 12 qytete i kanë dhënë besimin partisë së Albin Kurtit.
E dyta është Lista Srpska me 10 komuna
E treta LDK me 7 komuna.



