
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën sot për sot është i pamundur pasi kundërshtohet nga SHBA-ja me arsyen se mund të krijojë precedentë për pretendime të ngjashme nga popujt e tjerë në Ballkan.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Milo tha se një ditë shqiptarët do të bashkohen dhe se skenari më i mundshëm është bashkimi në familjen evropiane.
Është një ngjarje që ka kohë që i është bërë e njohur edhe rajonit edhe Evropës. Pasuron përvojën politike dhe emancipon Ballkanin Perëndimor. Është lëvizje progresive demokratike jo vetëm për rajonin, por për gjithë Evropën. Një shtet që bën 15 vjet dhe po lufton që të marrë atë që i takon në familjen evropiane dhe i ka të gjitha kushtet që të integrohet plotësisht dhe të kontribuojë për prosperitetin në Evropë. Është ngjarje e rëndësishme shumëdimensionale.
Idea për bashkim kombëtar është shprehur nga të gjithë shqiptarët, puna është kur do të krijohen rrethanat që të bashkohemi dhe në ç ‘formë dhe mënyrë do të bashkohemi. Që një ditë shqiptarët do bashkohen është e padiskutueshme, por mënyra mbetet për t’u parë dhe diskutuar. Mendoj se bashkimi më i natyrshëm më konkret, më i dobishëm dhe i arritshëm është bashkimi në familjen evropiane, kur të anëtarësohen në BE dhe aty do të jenë një. Bashkimi tradicional që është provuar në disa vende ai është më i vështirë për t'u bërë në rajonin tonë dhe mes shqiptarëve sepse mund të sjellë efekte domino dhe mund të kundërshtohet si tani. Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë sot nuk mund të bëhet pasi të parët do kundërshtojnë janë SHBA-të se nuk duan të krijojnë precedentë për pretendime që mund të kenë popujt të tjetër të Ballkanit. Kemi Bosnjën që mbahet peng nga ekuilibrat e brishtë.
Rugova do të mbahet mend si lider me vizion të madh dhe me një shikueshmëri të largët. Vizioni i tij ishte i qartë dhe e artikulonte bukur këtë vizion. Por, Rugova në atë kohë kur zhvilloi vizionin e tij nuk i kishte mundësitë për të bërë zgjedhje të tjera më të mira. Me filozofinë e tij gandiste ndikoi që të popullarizohet çështja e Kosovës. Por nuk mjaftonte kur ke përballë një shtet shtypës si Serbia e djeshme. Ata përshkallëzuan luftën dhe veprimet e tyre. Gandizmi dhe lëvizja pacifiste nuk kishte më kuptim sepse përkundrejt një mesazhi pozitiv, Serbia përgjigjej duke dërguar tanke. Erdhi momenti që ‘mjaft ishte mjaft’, në emër të kësaj shqiptarët u ngritën dhe iu përgjigjën një politike gjenocidi. Kjo i dha shtysën e fundit procesit të pavarësisë së Kosovës.
Shpërbërja e Jugosllavisë mbetet proces objektiv.



