
Pas stuhisë që ajo shkaktoi në publik me foton e kopertinës, ku Presidenti i Serbisë shfaqej në shënjestrën e një arme, e përjavshmja serbe NIN doli dje në treg me faqen e parë të bardhë.
Sipas botuesit, Ringier Axel Springer Serbia, revista ka dalë pa foto kopertine pasi nuk ishte bërë zgjedhja e duhur e fotos, sidomos në një vend ku është vrarë një kryeministër (Zoran Xhinxhiç, 2003).
Megjithëse fotoja e kopertinës është ndryshuar, përmbajtja e artikullit me titull "Afera e armëve: Kush shkatërron Krusik" mbetet e pandryshuar.
Ringier shprehet se një botim NIN me kopertinën e re do të dalë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ajo që ishte planifikuar të ishte faqja e parë u postua një ditë para se revista të dilte në treg, por pati një numër të madh reagimesh.



