Nga Adi Darsi
Buxheti i shtetit tashmë i kthyer në ligj me votën e Kuvendit dy ditë më parë shënon një pikë kthese në administrimin fiskal. Eksperti Selami Xhepa në një intervistë për TemA TV thotë se ky hap po ndërmerret pas disa vite keqmenaxhimi fiskal.
Me këtë ai ka parasysh ndërhyrjet e pastudiuara në taksa.
Heqja e taksës së sheshtë sipas tij ishte një masë drastike që ka sjellë keqësim jo vetëm të klimës së biznesit, por që pati pasoja të rënda edhe në të ardhurat fiskale. Po ashtu devijimet në shpenzimet buxhetore por edhe rritja e pakontrolluar e borxhit public kanë cuar drejt një përkeqësimi të vazhdueshëm në administrimin e financave të vendit.
Parë në këtë sfond për zotin Xhepa Buxheti i vitit 2016 shënon një nisje drejt kthimit në normalitet. Planifikimi konservativ i të ardhurave, drejtimi i shpenzimeve nga nxitja e prodhimit si dhe ulja e borxhit publik janë hapa në drejtimin e duhur që sigurisht do të duhet të vijojnë në të ardhmen.
Masat, sipas Selami Xhepës, duhet të shoqërohen edhe me përmirësime strukturore për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.



