Ndërsa i gjithë Hollivudi është përfshirë nga skandali i Harvey Weinstein, Rosario Fiorello bëhet burri i parë që denoncon producentin amerikan. Pasi shumë aktore të njohura të ekranit rrëfyen se janë përballur me ngacmimet seksuale të producentit në 20 vitet e fundit, prezantuesi italian ka rrëfyer përvojën e tij në SHBA, ku thotë se është përballur me arrogancën e Wienstein. Fiorello thotë se ka një letër të shkruar që vërteton sesi pasi ai refuzoi një rol të vogël në një film të producentit, iu tha se për të dyert e Hollivudit do të mbylleshin përjetë.
Fiorello thotë se u takua me Weinstein për herë të parë në vitin 1999, kur mori pjesë në filmin amerikan “Talenti i Mr.Ripley”, krah Matt Damon, Jude Law e Gwyneth Paltrow.
Në atë kohë, Fiorello tregon se është takuar me Weinstein në një nga festat e tij ku shampanja derdhej lumë. Më pas, ai e ftoi për një rol në filmin “Nine”. Fiorello duhej të luante rolin e një këngëtari italian, që këndonte në sfond ndërsa protagonistët bisedonin në një sallë vallëzimi. Ai tregon se e refuzoi ofertën, pasi një rol kaq i vogël do t’i kërkonte të rrinte të paktën 25 ditë në xhirime. Por pas refuzimit, ai mori një letër nga producenti, i cili i linte të kuptonte se nuk lejonte që një njeri që ishte askushi t’i thoshte jo.
““Si guxon të më refuzosh mua, ti ndoshta nuk e ke kuptuar kujt i ke thënë jo. Pas këtij refuzimi, nuk do të punosh kurrë më në Amerikë”, ishin fjalët e tij”, tregon Fiorello.
“Pra, nëse nuk më keni parë te “Lufta e yjeve” apo “Rocky 6”, tani e dini cila është arsyeja”, përfundon ai me shaka.



