Zëvendëskryeministrja me anë të një deklarate për mediat dëshiron të sqarojë veçanërisht të gjithë punonjësit e Bashkive dhe Prefekturave që janë nëpunës civilë, administrativë apo me kontratë punë që e kanë të ndaluar gjatë orarit zyrtar të punës çdo lloj pjesëmarrjeje në aktivitete/veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati.
Në deklaratë thuhet se bazuar në nenin 88 të Kodit Zgjedhor nuk mund të përdoren apo të vihen në mbështetje të kandidatëve, partive politike apo koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror e vendor apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota dhe/ose emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo drejtues të entit pavarësisht kapitalit apo pronësisë.
Gjatë fushatës zgjedhore gjithashtu ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij.
Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë. Për sa më sipër ju bëjmë thirrje veçanërisht Bashkive dhe Prefekturave, por edhe çdo institucioni tjetër në nivel qendror e vendor të marrin masa për respektimin e plotë të dispozitave ligjore dhe nënligjore gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe sjellim në vëmendje që mosrespektimi i tyre mbart pasoja ligjore sipas ligjit deri në ndjekje penale.



