Një 18-vjeçar është arrestuar në zonën e Dover në jug të Anglisë në lidhje me sulmin terrorist në metronë e Londrës, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në një vagon dhe shkaktoi mbi 30 persona të plagosur.
Lajmin e ka bërë të ditur policia e Kentit. Ai u arrestua për akuzat e terrorizmit dhe po mbahet në një stacion policor lokal. Nuk jepen të dhëna të tjera në lidhje me të riun e arrestuar apo rolin e tij.
Zëvendës ndihmësi i Komisionerit të Policisë Metropolitane Neil Basu tha se arrestimi ishte “i rëndësishëm”, por niveli i kërcënimit terrorist mbetet në nivel kritik.
Sipas mediave vendase, niveli i alarmit në Britani është maksimal, dhe kryeministrja britanike Theresa May njoftoi se kishte ngritur alarmin kombëtar nga “të rëndë” në “kritik”, d.m.th niveli në të cilin sulmet e reja të mundshme konsiderohen të pashmangshme.
Po kështu May deklaroi nxjerrjen e ushtrisë në rrugë, në ndihmë të policisë sidomos në zonat delikate.



