Kryeministri i vendit Edi Rama, duke kujtuar aktet e pabesueshme dhe episodet fantastike të mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri, ka thënë se mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollivudit, që nuk ka bërë ende kryevepër duke u bazuar në histori të vërteta që kanë ndodhur në vendin tonë.
“Historia e hebrenjve tek ne është mahnitëse, një marrëdhënie që daton në shekullin e dytë pas erës sonë, kur për herë të parë hebrenjtë u shfaqën në brigjet e Adriatikut dhe më pas në shekujt 15 e 16 kur ata u rishfaqën dhe instaluan në pika të ndryshme. Çudi e madhe, që mbetet për tu eksploruar dhe kuptuar më mirë deri në fund”, tha Rama, gjatë ceremonisë së për përurimin e memorialit të Holokaustit.
Më tej ai shtoi se, “E dyta që vlen të kujtohet është se përpara Luftës së Dytë Botërore, përpara sesa kjo marrëdhënie të shpërfaqej në formën më fisnike dhe më mbresëlënëse të shpëtimit dhe mbrojtje të hebrenjve, Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar Shabatin, që do të thotë se të gjithë qytetarët që i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtë që për këtë tu ndërpriste shpërblimin për punën”.
Rama shprehet i bindur se Shqipëria me episodet e personazhet, momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë që botërisht ndihmuan hebrenjtë, mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollivudit që ka prodhuar disa kryevepra lidhur me këtë epokë, por që me siguri do të kishte prodhuar shumë më tepër kryevepra edhe më të pabesueshme nëse do të ishte referuar ndaj episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri.
Rama kujtoi gjithashtu se “Janë realitet nga më të mahnitshmet që nga udhëtimi me kuaj i një familjeje e cila për 24 orë transportoi 17 hebrenj, familja Biçaku, në momentet e ndërrimit të pushtuesve, pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe okupimit nga Gjermania naziste, apo familjes Myrto në Kavajë, që deri në fund i qëndroi besnik mikut hebre që kishte marrë në mbrojtje duke sakrifikuar njërin prej familjarëve, vëllain e mikpritësit që u mor në kampin e Mathauzenit dhe nuk u kthye më prej andej”
Pra vijon Rama “jeta e vëllait nga gjaku, u bë kurban për të mbrojtur e shpëtuar një vëlla nga zoti me të cilin lidhja ishte thjesht që të dy ishin krijuar si njerëz, apo familja e Nuro Hixhës, një tjetër shumë mahnitëse që i dha strehim katër familjeve hebrenjtë, njëra që dëshmon se në momentin e hapjes së derës dëgjoi nga i zoti i shtëpi fjalët e pabesueshme, por të konfirmuara më pas nga realiteti i mbrojtjes dhe shpëtimit, rrini të qetë asgjë nuk do të ndodhë, nga sot jemi një familje, unë dhe im bir do të përgjigjemi me jetë për ju”.

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler ka mbajtur një fjalë të shkurtër në përurimin e memorialit të holokaustit në Shqipëri. Në fjalën e tij, Gal Gendler ka shprehur vlerësimin më të madh për vendin tone, duke shtuar se do të ishte diçka e mirë nëse e bota do ta njihte këtë anë të Shqipërisë.
“Është nder për mua të marr pjesë në këtë inagurim. Do të doja të nis fjalën duke cituar me Ana Frank: Nëse gjithë kjo dhimbje përfundon, ka ende hebrenj gjallë ata do të mbahen si shembull për të dëshmuar dhe kujtuar veprat më mizorë të njeriut. Do të dojë të falenderoja SHBA si një vend që i nis gjithmonë këto veprimtari. Do të doja të falenderoja për vendin që na është thënë. Vlerat janë ende në Shqipëri. Edhe sikur të duhej ndonjë manifestim, e pamë edhe gjatë pandemisë në Itali. Shqipëria shërben si bujari, pishtar tolerance dhe si njerëz mikpritës. Nëse shumë kombe do ta mësonin këtë pjesë të Shqipërisë do të ishte e shkëlqyer,”-u shpreh ai.
09:44h/ Përurimi i memorialit të Holokaustit/ Ambasadorja Kim: Një histori frymëzuese e besës shqiptare
Në Tiranë sot është përpuruar memoriali i Holokaustit. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e pranishme në ceremoninë e përurimit të Memorialit, tha se historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, është frymëzuese.

Në fjalën e saj, Kim u shpreh se një komb i tërë punuan për të shpëtuar hebrenjtë, duke e konsideruar “histori të besës shqiptare”, ndërsa shtoi se SHBA e ka vlerësuar këtë guxim të popullit shqiptarë.
“Pas ngritjes në pushtet të fuqisë së Hitlerit, shqiptarët strehuan me qindra hebrenj nga e gjithë Europa, duke i shpëtuar ata nga vdekja e sigurt. Kur pushtuesit kërkuan një listë të qytetarëve hebrenj nga qeveria shqiptare, ata refuzuan. Shqiptarët nga të gjithë sferat e jetës, u bënë të gjithë bashkë, një komb i tërë, punuan për të shpëtuar hebrenjtë, për të shpëtuar miqtë e tyre.
Është me të vërtetë një histori frymëzuese e kurajës e ndjerit, e besës shqiptare. Jam shumë krenare që qeveria e SHBA, ka mundësi të vlerësojë guximin e popullit shqiptarë përmes këtij memoriali. Do të doja të falënderoja popullin shqiptar, që na dha një shembull të ndritshëm. Le ta bekojmë të gjithë kujtimin e popullit të Shqipërisë që veproi me vetëmohim për mbrojtjen e miqve të tyre hebrenj. Ky memorial na kujtoftë gjithmonë vlerën e veprimeve të tilla. U frymëzofshim nga kuptimi i miqve tanë shqiptarë e hebrenj për humanizmin”, tha ambasadorja amerikane Yuri Kim.



