Zjarri në landfillin e Elbasanit, pranë inceneratorit të ndërtuar me fondet publike, vijon prej disa ditësh duke krijuar ndotje të konsiderueshme dhe paqartësi mbi shkakun real të flakëve.
Aktualisht, po zhvillohen hetime nga prokuroria lokale për mënyrën e operimit në këtë vendgrumbullim mbetjesh, ndërsa janë marrë në pyetje 24 punonjës të landfillit.
Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ngriti dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme.
Aty nuk hyn kushdo. Landfilli është një zonë e kontrolluar. Zjarri me shumë gjasë i është vënë që të hënën. Kjo nuk mund të ndodhë rastësisht, sidomos në një vend ku supozohet të ketë sistem sigurie dhe kontrolli.
Në landfill ndodhen mbetje shumë më të mëdha se sasia e lejuar. Sipas dokumentacionit zyrtar, aty duhet të ishin 30–40 ton mbetje, por në realitet ndodhen rreth 200 ton. Këto mbetje duhej të ishin selektuar dhe një pjesë e tyre duhej të ishte djegur në incenerator.
Inceneratori i Elbasanit është paguar me 22 milionë euro, por që nga dita e ndërtimit ka funksionuar vetëm 24 ditë. Pjesa tjetër e mbetjeve ka mbetur aty, jashtë çdo standardi dhe po digjet në mënyrë primitive.



