
Administrata shtetërore u zgjerua vetëm pak muaj larg zgjedhjeve të 25 prillit. Punësimi në administratën shtetërore ka shënuar një rekord që nga viti 2005. Gjatë tremujorit të fundit të 2020-s, është i vetmi sektor që ka pësuar rritje gjatë krizës së pandemisë.
Sipas të dhënave nga burimet administrative mbi punësimin publikuar nga Monitor, në tremujorin e fundit të vitit 2020 u punësuan rreth 10 mijë persona nga tremujori i mëparshëm, dhe në total numri i të punësuarve arriti në 182.5 mijë persona.
Sektori i administratës shtetërore ka nisur të zgjerohet me ritme të larta që prej tremujorit të dytë të vitit 2018. Rritja arriti kulmin në tremujorin e fundit të vitit 2020, duke shënuar rekord që nga viti 2005, e krahasuar sipas mesatares vjetore. Të punësuarit në shtet përbënin 16% të totalit në fund të 2020-n, nga 15% një vit më parë.



