Steven Spielberg, një nga regjisorët më të njohur të Hollivudit, është regjistruar për të ndihmuar presidentin amerikan Joe Biden me fushatën e tij për rizgjedhjen si president, duke ofruar strategjinë për Konventën Kombëtare Demokratike, e planifikuar të mbahet në 19-22 gusht në Çikago, raportoi NBC të premten.
Spielberg, një mbështetës prej kohësh i Bidenit, ka marrë pjesë aktive në takimet me organizatorët e eventit, ku më shumë se 5000 delegatë nga 50 shtete do të zgjedhin zyrtarisht kandidatët për president dhe zv.presidentë të demokratëve.
"Steven dëshiron të jetë sa më i dobishëm për presidentin," tha një burim duke shtuar se ai mendon që “këto janë një nga zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit”. Aktualisht sondazhet nxjerrin fitues Donald Trump, me 49 për qind të votave, ndërsa Biden ka 43 për qind, me një rënie dy pikë që prej janarit.



