Greqia do të vendosë një kontribut prej 20 eurosh për pasagjerët e kroçerave që ndalojnë në ishujt shumë të njohur, Mykonos dhe Santorini.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

“Greqia nuk ka problem strukturor të mbiturizmit, ka problem në disa destinacione, në disa javë apo në disa muaj të vitit”, komentoi Mitsotakis, në një konferencë për shtyp gjatë një panairi.

“Industria e lundrimit ka ushtruar presion mbi Mykonos dhe Santorini, kështu që çmimi do të jetë 20 euro”, shtoi ai pa specifikuar se kur do të hyjë në fuqi kjo masë.

Në vitin 2023, rreth 800 anije lundrimi me 1.3 milionë pasagjerë prekën ishullin e Santorinit ku jetojnë vetëm 15 500 banorë, sipas shoqatës greke të porteve. Nga rekord 32.7 milionë turistë që vizituan Greqinë vitin e kaluar, rreth 3.4 milionë - ose një në dhjetë vizitorë - shkuan në ishullin e Santorinit. Kryeministri synon “të ndërhyjë në numrin e anijeve që mbërrijnë në destinacionin e tyre në të njëjtën kohë”, duke e gjykuar të nevojshme “të vërë frenat në ishujt ku besojmë se po vihen në provë kufijtë e infrastrukturës”.