
Ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, thotë se formulari që u kërkohet prindërve çdo ditë mbi gjendjen shëndetësore të fëmijës nuk ka asnjë vlerë. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Vejsiu u shpreh se prindërit nuk mund të japin garanci të tilla. Më shumë sesa formalitete të tilla, Vejsiu thotë se duhej bërë testimi i mësuesve para nisjes së vitit shkollor.
“Ka veprime të nxituara të institucioneve. Të kërkosh nga shkolla ato masa do të thotë të kesh një buxhet të caktuar dhe të ketë 24 orë ujë. Sa i takon formularit, janë 400 mijë nxënës me një fletë formati A4, që do të thotë harxhohen 120 milionë lekë në muaj. Nuk ka prind që të dijë që fëmija i tij ka simptoma dhe ta dërgojë në shkollë. Në rast se fëmija ka simptoma, prindi njofton shkollën dhe kjo e fundit autoritetet që bëjnë gjurmimin. Garanci mund të japë vetëm tamponi. Formulari është diçka kot, nuk do të jetë kaq i kërkuar në të ardhmen. Mësuesi është ai që ka më shumë premisa për t’u prekur. Ndodh që në shumë raste që dëgjojmë, shumicën e rasteve e përbëjnë mësuesit. Ajo që do të kërkoja ishte që para fillimit të shkollës të gjithë mësuesit të kishin bërë tamponi”, tha ai.
Vejsiu e sheh joefektiv planin B në rast të mbylljes së shkollave.
“Ne u mësuam me lajme të tilla si ai i tërmetit. Plani B është i pallogaritur. Në televizion nuk zhvillohet dot mësim. Tekstet ndryshojnë, metodat gjithashtu dhe ajo që shohin nxënësit në televizor nuk përkon. Mësimi online krijon diferencë mes zonave urbane dhe zonave periferike. Më mirë të ishte bërë trajnimi i mësuesve dhe pajisja teknologjike”, tha ai.



