Hapja e listave, ndalimi i koalicioneve parazgjedhore dhe pragu i hyrjes në Parlament u diskutuan sot në mbledhjen e Këshillit të Ligjeve. Maxhoranca dhe opozita parlamentare ranë dakord që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore. Drafti me propozimet e opozitës parlamentare u mbështet nga maxhoranca. Ai do të kalojë për miratim në Parlament, ku i duhen 94 vota.
Deputetja e maxhorancës, Klotilda Ferhati, tha se detajet do të saktësohen në Kodin Zgjedhor, ndërsa në Kushtetutë nuk është e nevojshme të shkruhet as sa do të jetë pragu dhe as që ndalohen koalicionet, gjë që u mbështet edhe nga opozita parlamentare.
“Në Kushtetutë ruajmë vetëm parimet, në Kodin Zgjedhor saktësojmë detajet. Nivelin se sa do të jetë % e pragut kombëtar do të lëmë ta saktësojmë në Kodin Zgjedhor”, tha ajo.
Ndërsa opozita parlamentare i kërkoi maxhorancës prag natyral për çdo qark.
“Do donim të merrnim nga mazhoranca garancinë që prag kombëtar me këtë sistem do të jetë pragu natyral i çdo qarku, ç’ka do të thotë askush nuk privohet nga mandati i drejtpërdrejtë. Prag kombëtar pa prag, pa shifër është evaziv, nul me këtë sistem. Nuk është nevoja ta sanksionojmë në Kushtetutë, por mazhoranca të garantojë që prag kombëtar do të jetë pragu natyral i çdo qarku”, tha ai.
Mossanksionimi me shifër i pragut gjeti mbështetjen e deputetëve të maxhorancës. Deputeti Adnor Shameti tha se kjo është mënyra e vetme për ta legjitimuar.
“Pragu të jetë natyral për çdo qark dhe në Kodin Zgjedhor, shpreh sigurinë time se kjo është mënyra e vetme për ta legjitimuar. Pra pragu të jetë natyral i zgjedhjes”, tha ai.
Opozita parlamentare dhe maxhoranca ranë dakord që hapja e listave përjashton koalicionet parazgjedhore.
“Listat e hapura me koalicionet bien ndesh. Do të bënin të pamundur një votim me lista të hapura dhe koalicione”, tha deputeti socialist, Alket Hyseni.
“Për mua kjo është e rëndësishme që jep garanci që listat të jenë 100% të hapura. E rëndësishme është që për një kohë të gjatë të kemi këtë parim dhe garanci që çdo parti të shkojë drejt rrugës së hapjes së listave deri në limitin që ka dëshirë”, tha deputetja demokrate, Rudina Hajdari.



