
Nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Ramazan Rraja, është dënuar me 12 vjet burg nga autoritetet belge. Vendimi i dënimit ndaj tij është dhënë këtë të martë, ndërsa ndaj tij rëndonte akuza e trafikut të lëndëve narkotike. Ndërkohë, Rraja është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
Ndërsa vendimi i dënimit në Belgjikë ndaj tij është dhënë në mungesë, pasi dyshohet që ai fshihet në Dubai. Mediat vendase kanë raportuar se bashkë me Ramazan Rrajën është dënuar edhe kushëriri i tij, Fioralb Rraja. Po ashtu ata janë gjobitur edhe me nga 40 mijë euro secili.
Ata dyshohen për drejtimin e një organizate të trafikut të kokainës. Grupit kriminal i janë sekuestruar 57 kg kokainë në Belgjikë, 50 kg kokainë në Holandë dhe 80 kg në Romë. Sipas dosjes së prokurorisë belge, banda trafikonte lëndë narkotike nga Amerika latine dhe më pas e shpërndante në të gjithë Europën Perëndimore, në Turqi e deri në Australi.



