
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka depozituar projektligjin “Western Balkans Democracy and Prosperity Act” që konfirmon vazhdimësinë dhe forcimin e sanksioneve të SHBA-ve ndaj individëve dhe rrjeteve që konsiderohen kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Një prej vendeve që pritet të preket nga sanksionet është edhe Shqipëria. Në sanksione përfshihen urdhrat ekzekutivë që bllokojnë pasuri, rrjete financiare dhe ndalojnë hyrjen e individëve të caktuar në SHBA.
Më konkretisht në raport thuhet se të gjithë individët që janë aktualisht të sanksionuar sipas urdhrave ekzekutivë amerikanë do të vazhdojnë të mbeten në listë, në momentin që ligji hyn në fuqi, përveç rasteve të parashikuara për përjashtim ose heqje të sanksioneve.
Projektligji riafirmon vlefshmërinë e urdhrit ekzekutiv që lidhet me bllokimin e pasurive të personave që kërcënojnë stabilizimin ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu riafirmohet vlefshmëria e urdhrit ekzekutiv që parashikon bllokimin e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për persona që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit.
Presidenti i SHBA-së mund të vendosë heqjen e sanksioneve për një individ vetëm nëse i raporton Kongresit se: Personi nuk ka qenë i përfshirë në aktivitetet që çuan në sanksionim gjatë dy viteve të fundit, ose nuk i plotëson më kriteret që shërbyen si bazë për vendosjen e sanksioneve.



