Për kreun e Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, situata e krijuar nga procesi i vetingut në gjykata nuk është e mirë, për shkak se ka shkaktuar ngarkesë shumë të madhe në punë.
Nuk kemi punuar ndonjëherë me këtë ritëm, jemi gati trefish ose më shumë ngarkesë. Mund të kem mbi 300 dosje në dorë. Në ditë pune, nuk bëj më pak se 12 gjyqe me palë se ka dhe seanca që bëhen në dhomë këshillimi.
Edhe nëse nuk del koha... do dalë. Punojmë dhe natën në shtëpi, duke harruar shumë prej nesh dhe detyrimet që ka ndaj familjes dhe shoqërisë.
Në Gjykatën e Tiranës, mungojnë më shumë se gjysma e gjyqtarëve, kemi qenë 72-78, mungojnë më shumë se gjysma.
Kjo situatë nuk është vetëm në Gjykatën e Tiranës që gjykon më shumë se gjysmën e çështjes për shkak të popullimit të zonës. Qyteti rritet, gjykata zvogëlohet.
Kështu deklaroi Hoxha duke folur për MCN Tv, duke shtuar se problematike situata paraqitet në të gjitha gjykatat e rretheve dhe veçanërisht në gjykatat e Apelit.
Ai i bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të procedojë me hapjen e vendeve vakante në Gjykatat e Apelit.
Sipas tij, një nga qëllimet e reformës në drejtësi është që të rrisë shpejtësinë e proceseve, përveç cilësisë dhe se KLGJ ka parashikuar disa afate jo detyrues por orientues, që me ngarkesën që ka aktualisht gjykata është e pamundur të arrihet.
Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, koha e gjykimit në vend të ulej, është rritur me minimumi 2 muaj. Pa filluar largimi i magjistratëve.
Nëse një çështje e merrja për shqyrtim dhe e caktoja brenda muajit seancën gjyqësore, koha është rritur dyfish.
Është paradoks që ndërkohë që kemi shumë çështje që duhet të gjykojmë kemi shumë vende bosh në Apele, arsyeja është mosarsyeja. Është bërë harta e re gjyqësore, do bëhet vetëm një Apel në Tiranë.
Do ishin rreth 70 gjyqtarë nëpër Apele, ndërsa sot do jenë më pak se 30 gjyqtarë, do jenë më pak se në 6 Apele. Nuk ka asnjë logjikë pse të mbahen mbyllur vendet në Gjykatat e Apelit.
Në Apelet e Gjykatës Administrative, janë 4 vende vakante. Megjithatë absolutisht ka vend për të qenë gjyqtar, është nder dhe privilegj të bësh gjyqtarin dhe në kohë të vështira se kohët e vështira prodhojnë njerëz të fortë.
Unë jam nga ata njerëz që mendoj se ky vend bëhet dhe duhet të rrisim fëmijët tanë këtu. Është shumë e lehtë për tu ikur përgjegjësive, por nuk i shpëton dot ndërgjegjes tënde.
Ndërgjegjja jote ngel gjithmonë pas. Jo vetëm ne që jemi aktualisht në detyrë, pro edhe studentë të shkollës së Magjistraturës, të vijnë sa më shpejt në detyrë.
Hoxha shtoi se kur bëhen reforma të tilla të jashtëzakonshme si ajo e drejtësisë, patjetër që do të ketë edhe kosto, ndonëse nënvizoi se ka qenë e domosdoshme bërja e një reforme.
Ai sqaroi se Unioni i Gjyqtarëve nuk ka qenë kundër reformës, por se i kanë bërë thirrje qeverisë që të krijonte një mekanizëm që do reformonte sistemin “për të ndarë shapin nga sheqeri”.
Shkuarja në Gjykatë Kushtetuese për ligjin e vetingut, ka qenë për të përmirësuar ligjin jo për ta ndaluar. Konstatojmë se disa nga problematikat që kemi ngritur janë identifikuar dhe po sjellin pasoja.
Qëllimi ka qenë që drejtësia jonë të pastrohet. Mënyra se si është aplikuar nga disa persona që nuk janë zgjedhur në mënyrën e duhur, ka bërë që të infektohet zbatimi i ligjit.
Gjykata Administrative sot punon me gjysmën e kapacitetit, nuk e kuptoj pse nuk po shpallen vakancat. Ka thashetheme, mbase po pritet të mbarojnë mandatet e disa personave që janë në organet e drejtësisë.
Nuk kemi informacionin që të kalojmë në shpërdorim detyre, ndoshta e bëjnë dhe nga padijenia. Ka nevojë që të dyfishohet numri i gjyqtarëve në Gjykatën Administrative, kjo ndodh te Gjykata e Apelit dhe Shkalla e parë.
Në hartën e re gjyqësore, Unioni i Gjyqtarëve nuk është përfshirë në këtë proces, nuk na është marrë konsultim. Shpresoj që mos të jenë kosto në kurriz të qytetarëve.
Prokurorët dhe gjyqtarët duan që një 2023 të jetë më i mirë se ky. Por numrat janë numra, mund ti zvogëlojmë vetëm duke shtuar numrin e gjyqtarëve.



