Eksperti i IT, Edmond Liçaj në ‘MCN Economy’ u shpreh se nëse procesi është i mbyllur, digjitalizimi ndihmon me dokumentet. Ai tha se përdorimi i ‘Blockchain’ duhej aktivizuar që tek e-albania. Sipas tij, çështja është se duhet të investohet te njerëzit. Duhet të ndryshohet mendësia e drejtuesve. “Digjitalizimi, AKSHI vetëm bën monitorim të procesit, por funksionimin e sistemit është nga vetë instituti, vetë kadastra. AKSHi s’ka ndikim në këtë aspekt në përshpejtimin e procesit, ndërsa sistemi nëse procesi është i mbyllur procesi funksionon. Nëse kadastra e ka procesin mbyllur dhe asgjë nuk çalon në proceset atëherë digjitalizimi e ndihmon që të përshpejtohet. Por këtu ka shumë probleme fizike dhe teknike që digjitalizimi nuk e ndihmon. Digjitalizimi nuk është diçka e re, ai është një proces jo destinacion. Ai s’mbaron asnjëherë, problemet vijnë vazhdimisht duke u shtuar dhe digjitalizimi na ndihmon. Në teknologji siguria nuk mund të thuash se është absolute, por nga deklarata që dëgjuam i kanë paraprirë asaj gjëje duke përmendur ‘Blockchain’, por kjo duhet të kishte ndodhur që te e-albania dhe jo të fillonte të përdorej te kadastra. Është një teknologji më e sigurtë se ajo fizike që kemi ne dhe vetë Akshi në përdorim. Fakti që dixhitalizohet nuk do të thotë se do ruhet me blockchain”. Në vijim ai shtoi se nëse qytetarët ankohen se ka shumë radhë, aty bëhet një plan strategjik, vetë digjitalizmi është një përshpejtues procesesh dhe jo sistem antikorrupsion. “Lidhur me korrupsionin, është vetë njeriu hallka më e dobët. Problem ka gjithmonë nëse duam ti krijojmë. Çështja është se duhet të investohet te njerëzit. Duhet të ndryshohet mendësia e drejtuesve sepse me këtë mendësi që ka, dështon”.



