Kryeministri Rama ka mbledhur në Kryeministri drejtuesit e emergjencave Civile për një raportim të detajuar të situatës pas reshjeve të furishme që përfshinë vendin mëngjesin e sotëm.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha se në kryeqytet, situata paraqitet më e vështirë në Kashar dhe Vorë. Në Paskuqan dhe Bregun e Lumit janë evakuuar 40 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytja.
Situata paraqitet problematike edhe në Shkodër, ku dalja nga shtrati e lumit Kir ka bërë që të rrezikohet lagjja “Ajasem”, ku janë evakuuar 40 familje të tjera.
Ndërkohë, probleme ka edhe në Fushë-Krujë, ku ka dalë nga shtrati lumi Zezë.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se ka dëmtime të pjesshme në sistemin e digave, kryesisht në Darragjat. Nuk ka dëmtime në blegtori.
Ka dëmtim të pjesshëm të argjinaturës së Drinos. Përsa u përket tokave bujqësore, sasia e saj është e kufizuar. Bordet e kullimit janë në terren.
Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, tha se ujësjellësat nuk kanë asnjë problem. Akset rrugore nacionale ka probleme në disa prej tyre, për shkak të reshjeve por edhe shkarjes së dherave. Në Fushë-Krujë ka prani të madhe të ujit në rrugë. Po punohet me fuqi puëntore të shtuar. Akset problematike janë ato të Veriut. Situata është nën kontroll.



