Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken në Tiranë, e sheh më shumë si qokë ndaj Shqipërisë.
Në një lidhje për MCN Live, Nesho tha se vetë përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se vizita e sekretarit Blinken do të jetë për arsye të mirënjohjes për bashkëpunimin në Këshillin e Sigurisë, ku Shqipëria ka qenë një vend bashkëpenëmbajtës me SHBA, për gjetjen e një strategjie mbrojtjeje për Ukrainën dhe për të nënvizuar faktin se Shqipëria është një nga aleatët kyç të SHBA.
Sipas tij, rëndësi ka mesazhi që duhet të japë sekretari Blinken në Tiranë.
Realiteti në Shqipëri është një realitet i ndryshëm, që vetë Presidenti Biden qëndron në krye të të gjithë luftës që duhet të luftojë perëndimi ndaj një regjimi autokratik.
Në Shqipëri jemi në regjim autokratik, fatkeqësisht parlamenti nuk funksionon për tekat e mazhorancës.
Është ndrydhur dhe i jep vendimet e tij për 2-3 minuta, jo vetëm që është diçka e parregullt, por edhe e palejueshme në një demokraci institucionale.
Sekretari Blinken ka shumë për të thënë, pasi Amerika është investuar shumë dhe për drejtësinë e re.
Duhet të jetë një llogaridhënie nëse ka raste të përdorimit të drejtësisë nga ky regjim. Sigurisht që ka.
Ne po e shohim nga dita në ditë që drejtësia e re është drejtësi e kapur dhe ky është mesazhi i madh që duhet të japë sekretari Blinken.
Pikë tjetër është demokracia në Shqipëri, unë nuk besoj se Amerika kërkon këtë demokraci në Shqipëri.
Rrotacioni politik është një nga vendimmarrjet më të mira të demokracive, kërkohet ndryshim, prandaj mendoj se çështja e demokracisë duhet të jetë një nga pikat që zoti Blinken, duhet të nënvizojë faktin se nuk vazhdohet më kështu.
Është një mesazh që lidhet me perspektivën e Ballkanit. Ballkani duhet të kryejë sa më shpejt procesin e integrimit drejt familjes europiane.
Ne shikojmë që për një kohë të gjatë në Ballkan ka pasur protagonizëm të liderëve autokratikë si Vuçiç dhe Rama që kërkojnë të justifikojnë veprimet e tyre, mos llogaridhënien që në shumë raste nuk ndihmojnë në integrimin e Ballkanit drejt perëndimit.
Është një vizitë më tepër si një qokë për detyrime. Kjo vizitë e shkurtër mund të jetë historike, nëse do të japë këto mesazhe që përmenda.
Sa i takon takimit me kreun e SPAK, Altin Dumani, Nesho tha se ky është një nga takimet kryesore.
Në këtë drejtim shtoi se nëse vizita e sekretarit Blinken do të prodhojë diçka pozitive për shtetin e së drejtës është mesazhi që duhet të bashkëpunojë me Dumanin dhe abuzuesit me pronat dhe pasurinë e shqiptarëve duhet të shkojnë para drejtësisë.
Nëse kjo vizitë do jetë e suksesshme, SPAK duhet të godasë në aferën e tejngopur të inceneratorëve, një nga aferat më korruptive të gjithë botës së qytetëruar, ku objektet mungojnë fare.
Mendoj se populli do të marrë një sinjal pozitiv nëse SAK do veprojë ndaj qeveritarëve që janë të zhytur në këtë gropë septike si afera e inceneratorëve.
Dumani tashmë duhet të zgjedhë ose është për drejtësinë e popullit shqiptar ose një njeri që kërkon të menaxhojë mes interesave të pushtetit dhe mbajtjes së detyrës së tij, si oportunist.
Pa u zgjidhur çështja e inceneratorëve dhe popullit nuk do i kthehet besimi dhe se kjo drejtësi është e dirigjuar nga zyra e kryeministrit.
Kur vendet janë të korruptuara dhe sugjerimet mund të kalojnë në imponim. Për zotin Berisha ishte ndalim vizite në Amerikë në SHBA.
Por u shfrytëzua nga regjimi për të shkatërruar opozitën shqiptare, për të provuar se ky regjim di të kompromentojë deri në nivelet më të larta të administratës.
Ne nuk duhet t’ia faturojmë SHBA-ve marrjen e një vendimi non grata për zotin Berisha dhe në shumë raste deklaratat e individëve që punojnë në administratën amerikane nuk përbëjnë të vërtetën e madhe.



