Barie Gjuni, gjyshja e cila rreth një javë më parë rrëmbeu nipin dhe u zhduk, ka dorëzuar 3-vjeçarin në Policinë e Durrësit.
Siç njofton korrespondentja e MCN nga Durrësit, burime nga Policia e Durrësit thonë se gjyshja fillimisht ka qëndruar në Kukës, por pas kontrolleve të shumta të policisë është zhvendosur në Tiranë të disa të afërm të saj.
Durrës Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit. Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë. Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore. Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.I mituri është bashkuar tashmë me të ëmën e tij, e cila ishte ajo që ngriti alarmin për zhdukjen e fëmijës.
Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij Arben Selaj, për rrëmbimin e 3-vjeçarit nga nëna e tij.



