
Grupimi për Partinë Demokratike, nga i cili kandidonte për kreun e partisë zonja Edith Harxhi, ka reaguar në lidhjen me procesin e zgjedhjeve që u mbajt më 13 qershor.
Në një deklaratë për mediat, Grupi për PD-në denoncon një sërë shkeljesh statutore që sipas tyre janë bërë duke i dhënë Lulzim Bashës një mandat të tretë, ndërsa procesin zgjedhor e cilësojnë si të pabarabartë, të padrejtë dhe me shkelje të rënda.
Vetë Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidatëve për kryetar të PD-së nënvizoi faktin se mijëra anëtarë të PD nuk u lejuan të votonin, ndërkohë që mijëra u përjashtuan nga listat fare.
“Listat e anëtarësisë nuk u vunë në dispozicion të kandidatëve. Kjo i mohoi të drejtën e votës dhjetëra mijëra demokratëve. Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve të PD-së është shkelja më e rëndë e këtyre zgjedhjeve. Në kundërshtim me çdo normë të Kodit Zgjedhor janë bërë anëtarë të rinj. Disa kanë votuar vetëm me një kontrabilet për të votuar. Në disa qendra votimi ka pasur raste kur kanë votuar pa kartë anëtarësie. Në 90% të rasteve vëzhguesit janë kërkuar që të rrinë larg tavolinës së komisionit. Ka pasur raste kur vëzhguesit janë kërcënuar nga anëtarët e komisionit. Disa janë përjashtuar nga komisioni. Nuk është zbatuar rregullorja në lidhje me modalitet e procesit zgjedhor. Në shumicën e qendrave të votimit ishte fotografia e kryetarit aktual në mur. Kutitë e votimit nuk kanë pasur masa sigurie dhe as kode përkatës”, tha ndër të tjera Harxhi.



